Vihet në lojë ekzistenca e “Arenës së Cirkut” të vetmit në Shqipëri
Cirkut të vetëm në vendin tonë po i rrezikohet seriozisht vazhdimësia normale e aktivitetit artistik. Arena e Cirkut në përvjetorin e 50-të të saj rrezikon të shkrihet tërësisht. I vetmi aktivitet artistik që iu ka mundësuar dhe ofruar një argëtim paksa ndryshe vogëlushëve të metropolit gjatë këtyre viteve kanë qenë numrat dhe premierat që kanë sjell trupa akrobatike e Cirkut të Tiranës. Bazuar në eksperiencat e vendeve evropiane ky debat që është hapur për shkak të truallit ku është ngritur Cirku lë shumë për të dëshiruar pasi Cirku i Tiranës është i vetmi aktivitet edukativo-artistik në shërbim të të gjithë brezave. Ai meriton një përkushtim dhe një mundësi zgjidhje nga instancat më të larta shtetërore. Ai është i vetmi institucion unikal në Shqipëri. Ky institucion, si shumë institucione kulturore të tjera në Tiranë është i rëndësisë së veçantë, ndërsa pronësia e tokës, ka mbetur një çështje e pazgjidhur ende. Ky truall, ka atributet e një objekti me vlerë të veçantë në historinë e institucioneve kulturore në Shqipëri. Janë bërë 50 vjet që nga krijimi për herë të parë i Cirkut Shqiptar dhe që nga ajo ditë artistë të moshave të ndryshme kanë mrekulluar publikun me talentin dhe guximin e tyre. Numra të paharrueshëm për nivelin artistik dhe shkallen e rrezikshmërisë kanë ngelur në kujtesën e publikut për vite të tëra. Sipas udhëheqësit artistik, Fatos Roshi, “Kjo çështje vë në lojë fatin e ekzistencës së “Arenës së Cirkut” 50-vjeçar, i cili prej kohësh ka treguar se është ristruktuar në formë, përmbajtje dhe cilësi artistike”. Ndërkohë që një tjetër mjeshtër i Cirkut të Tiranës, Kujtim Dume, lidhur më çështjen është shprehur, “Ne kërkojmë që të anulohet ky vendim, sepse pronat publike kompensohen. Në rast se është bërë gabim, të rikuperohet”. Më tej ai tha se “Ne kemi respekt për të gjithë pronarët, por ky është oborri ku zhvillon aktivitetin cirku i Tiranës. Në emër edhe të artistëve të tjerë të këtij cirku, ai ka kërkuar që ashtu siç mbrohen territoret ku janë ngritur çerdhet, kopshtet, shkollat apo spitalet, të mbrohet edhe cirku i Tiranës. Ai ka argumentuar se ky është një institucion shtetëror dhe si i tillë duhet të gëzojë mbrojtjen nga shteti. Drejtues të shumtë të cirkut mbeten me shpresën se kjo çështje do të zgjidhet brenda të gjitha ligjeve të shtetit shqiptar, në mënyrë që ky institucion i rëndësishëm të vazhdojë të kryejë detyrën e tij, në vendin në të cilin është ndërtuar që nga periudha e qeverisjes së Mbretit Zog. Nëntori i vitit 1959 shënon lindjen e cirkut shqiptar me shfaqjen “Shkopi magjik” ku dalloheshin artistët Ali Duma, Telat Agolli, Skënder Plasari, Vitore Rasha, Bajram Kurti, Arian Miluka, Pineu Shkurti. Regjia u realizua nga Mihallaq Luarasi me një program i cili u vlerësua inkurajues nga publiku. Specializimet e mëtejshme në Kinë mundësuan konsolidimin e kapaciteteve të grupit të akrobatëve, duke ofruar rrugë të reja në zhvillimin e cirkut shqiptar. Sot, pas 50 vjetësh, cirku vazhdon të joshë publikun me numrat e larmishëm që ofron duke filluar nga numrat akrobatikë, të ekuilibrit, numrat e ajrit, zhonglerët, klounata etj. Në muajin dhjetor u festua 50-vjetori i cirkut shqiptar ku u mbajtën sesione shkencore, ekspozita fotografike dhe u shfaqën dy premiera të reja “Qielli pikon yje” dhe “Të kalosh ylberin”. Kjo shfaqje, përveç artistëve me përvojë, si: Fitnete Duro, Kujtim Dumi, Fatos Alla, Sokrat Buzo, Pranvera Sallata prezantoi edhe emrat premtues të cirkut të sotëm, si: Manushaqe Mullai, Stela Blloshmi, Erando Jucja, Xhejms Kodra, Juxhina Madhi, Rubin Zuna, Klaudia Duro etj.
Historiku i cirkut
Cirku i Tiranës u krijua në vitin 1952, si bërthamë e parë pranë Estradës së Tiranës. Telat Agolli, Bajram Kurti, Xhuzepina Prendi (Shkurti), Bardhyl Jareci, Abdyl Karakashi ishin të parë që themeluan trupën e cirkut, e cila në vitin 1959 doli me premierën e parë “Shkopi Magjik”. Ndërsa në vitin 1964 premiera “Fluturime akrobatike” ishte vizioni drejt së ardhmes, ku cirku u konsolidua me profile, u shtuan varietetet etj., si dhe fuqia artistike. Në vitin 1973, Cirku u nda më vete si institucion nga Estrada nga ana buxhetore dhe artistike, premierat u shtuan, po ashtu shfaqet në rrethe, niveli artistik pati rritje. Dy vjet më pas vjen çadra e cirkut, ndërsa në vitin 1976 u shfaq premiera “Drejt lartësive” e para në çadrën arenë të cirkut. Kjo e plotësoi cirkun me varietete të reja me kuadrin artistik, me koncepte regjisoriale dhe artistike. Kjo i dha hapësirë cirkut në krijimtari duke fuqizuar aktivitetin artistik, ku “çadra shëtiste” ishte në rrethe të kategorisë së parë dhe të dytë. Shfaqet u kthyen në manifestime. Studio e Cirkut u arrit vetëm në vitin 1977, ku u përgatitën elementët brenda trupës profesioniste, që e kanë ushqyer trupën e cirkut me elementë të rinj. Studio dhe sot e kësaj dite ekziston, po ashtu mjeshtrit e cirkut, kontributi i tyre mbi 30 -vjeçar nuk është shuar, përkundrazi në vite ka nxjerrë elementë të cilët debutojnë e kanë debutuar në arenën e cirkut, e gjetkë.
Eksperienca
Bazuar në eksperiencën e vendeve të tjera që e kanë shumë të zhvilluar cirkun si: Kina, Rusia, Franca , Italia etj, dhe në Shqipëri roli i mjeshtërve dhe i specialistëve të artit të cirkut nuk ka moshë. Ka dy sfida; e para është profesionale, ajo e të qenit artist në skenë pavarësisht moshës; ndërsa pas saj vijnë mjeshtrit që e ushqejnë artistin me krijimtari. Deri më tani nuk është bërë asgjë për një trajtim të mirë të pedagogëve të brendshëm dhe të jashtëm edhe pse dihet që baza e ekzistencës së artit varet nga këta njerëz. Madje këta njerëz trajtohen pamjaftueshmërish ndaj sot kemi vetëm 10 mjeshtër, 30 akrobatë profesionistë dhe rreth 50 nxënës. Tanimë mungojnë edhe kualifikimet dhe nuk është marrë asnjë masë në këtë drejtim, kur dihet që nga vitit 1960 -1975 janë bërë dy kualifikime me dy grupe në Kinë.
Cirku pas viteve 1990
Në fund të viteve 80-të cirku po luhatej. Kjo u quajt edhe faza e “mbijetesës”, që edhe sot vazhdon po me të njëjtin ritëm larg arritjeve bashkëkohore. Pati largime artistësh, të cilët emigruan në vendet e tjera dhe punojnë atje jashtë profilit të tyre. Cirku nga 107 vetë gjithsej u katandis në 50 – 60, nga të cilët rreth 30 artistë. Pati probleme me çadrën arenë pas dëmtimit të saj, e cila u rikuperua me vonesë pas vitit 2000. Pagat diskriminuese sollën largimin e dytë të artistëve, këto paga varionin nga 15 mijë deri në 20 mijë lekë, sot mbi 28 mijë lekë. Kufizimi i aktivitetit artistik brenda vendit dhe humbja e traditës në rrethe iu shtua faktorëve të tjerë negativë. Largohen profesionistët, quhen “të vjetër në moshë”, jo për aftësinë e tyre.
Cirku sot
Met Selimi, Ali Juca, Fatos Roshi, Fatos Alla, Kujtim Dumi, Sokrat Buzo janë në funksion të punës së tyre, mjeshtrit e studios Agron Muho, Ana Dumi, Nexhmie Dakli, etj., vazhdojnë aktivitetin artistik në Cirkun e Tiranës. Po ashtu, Pranvera Sallata (Agolli), Fitnete Ruçi (Duro), Stela Blloshmi, Loreta Lika, Gentian Dollaku, Manushaqe Mullai, Brunilda Koka dhe të rinjtë; Klaudia Duro, Eris Dakli, Irida Dori etj. Brez i ri i stërvitur nga të “vjetrit” profesionistë vazhdon të debutojë me sukses në të gjitha shfaqet.
4 Mars 2010