BE-ja zhbllokon 7 milionë euro të tjera për palestinezët
Komisioni Evropian vendosi të akordojë shtatë milionë euro të tjera për palestinezët që jetojnë në territoret e pushtuara nga Izraeli.
"Me këtë financim të ri, ne kërkojmë të marrim parasysh thirrjen për ndihmë të palestinezëve të Rripit të Gazës dhe Cisjordanisë", u shpreh komisioneri evropian i ngarkuar me bashkëpunimin, Karel De Gucht.
Popujt që kanë më tepër nevojë për këtë ndihmë jetojnë të lënë mënjanë në Cisjordani, shtoi Komisioni Evropian. "Viti 2009 ishte nga më të rëndët për banorët e Rripit të Gazës. Nuk duhet të harrojmë se komunitetet më të prekshme në Cisjordani kanë gjithashtu vështirësi për të mbijetuar për shkak të kufizimeve për të hyrë atje dhe territorit të tyre të thyer", bëri të ditur De Gucht.
"Edhe pse, sipas të drejtës ndërkombëtare humanitare, përgjegjësia për të dhënë ndihmë bie në radhë të parë mbi fuqinë pushtuese, është e nevojshme një përgjigje urgjente", theksoi ai.
Fondet e zhbllokuara nga BE-ja do të dërgohen nga shërbimi i ndihmës humanitare të Komisionit Evropian, organizata joqeveritare dhe ndërkombëtare, përfshirë organizma të Kombeve të Bashkuara, bëri të ditur Komisioni Evropian.
Këto shtatë milionë euro do t'u shtohen 74,4 milionë eurove të dhëna në vitin 2009 nga Komisioni Evropian për palestinezët.