Bumçi: “Opozita të miratojë Rezolutën e PD-së për liberalizimin e vizave”
Komisioni i Integrimit ka marrë në shqyrtim dje Rezolutën e Partisë Demokratike për liberalizimin e vizave, e cila pritet të miratohet në seancën e së enjtes. Por, gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Integrimit mungonin anëtarët socialistë. Në emër të PD-së ka reaguar dje deputeti Aldo Bumçi, i cili dënoi mungesën e socialistëve në komision dhe u bëri thirrje atyre që të jenë prezentë në seancën e së enjtes për të miratuar Rezolutën. “Sot Komisioni i Integrimit të Parlamentit të Shqipërisë mori në shqyrtim Rezolutën në mbështetje të procesit të liberalizimit të vizave, që do të miratohet ditën e enjte. Ne prisnim që deputetët e opozitës, të cilët kanë ardhur në Kuvend, kanë depozituar edhe emrat në komisionet përkatëse, të vinin në Komisionin e Integrimit, të merrnin kryesinë e këtij komisioni, siç është rënë dakord me opozitën, dhe të bëheshin pjesë e kësaj rezolute. Pavarësisht nga ky fakt, që nuk erdhën sot në shqyrtimin e rezolutës, ne u bëjmë thirrje, ne e ftojmë opozitën që të jetë e pranishme ditën e enjte në seancë plenare, ku do të miratohet Rezoluta për procesin e liberalizimit të vizave”, - është shprehur Bumçi. Ai e cilësoi procesin e liberalizimit të vizave një proces jetik për qytetarët shqiptarë që u përkasin të gjitha bindjeve politike. “Ky nuk është një proces politik, nuk është një çështje politike, por është një çështje jetike për të gjithë qytetarët shqiptarë, qofshin këta të majtë, të djathtë, pa parti. Ne si komb kemi në kujtesën tonë historike izolimin më të thellë. Ne e ftojmë opozitën, në shprehje të vullnetit të saj, të vijë e ta votojë Rezolutën në Kuvend, duke treguar që është në përkrahje të këtij procesi jetik për qytetarët shqiptarë. Jam i bindur që duke bërë këtë, duke ndërmarrë këtë hap ditën e enjte, nuk do të bëjë asgjë tjetër përveçse do të përmbushë vullnetin e dhjetëra mijëra anëtarëve të Partisë Socialiste, vullnetin e dhjetëra mijëra votuesve të Partisë Socialiste”, - është shprehur Bumçi. Në Rezolutën e tyre demokratët i bëjnë ftesë Komisionit Europian të respektojë kalendarin kohor për përgatitjen e raportit vlerësues për të mundësuar liberalizimin e vizave për shqiptarët në fillim të pranverës. Rezoluta gjithashtu i sugjeron Komisionit Europian që të marrë në konsideratë përmbushjen e deritanishme të kushteve të Udhërrëfyesit nga ana e qeverisë shqiptare. Së fundi, në Rezolutën e maxhorancës shprehet mbështetja për deklaratën e përbashkët të Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian të miratuar në muajin nëntor të vitit të kaluar, në bazë të së cilës mbështetet nisma që Shqipëria të përfitojë nga liberalizimi i vizave sapo Komisioni Europian të vlerësojë se vendi ynë i ka plotësuar detyrimet e Udhërrëfyesit.
10 Mars 2010