E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE kritikon Spanjen per deficitin e larte

Komisioni Europian gjykon se devijimi i deficitit publik spanjoll nga objektivat është serioz dhe i rëndë dhe ka ftuar qeverinë e Madridit të respektojë rregullat e paktit të stabilitetit dhe angazhimet e marra deri tani. Gjithsesi zëdhënësi i komisionerit për çështjet ekonomike dhe monetare të BE Olli Rehn, ka konfirmuar se situata spanjolle nuk është e krahasueshme me atë greke. Komisioni europian pret njohjen e motiveve të rishikimit të deficitit për 2011-ën dhe objektivat e rinj  për bilancin e viti 2012. Në muajin prill komisioni do të verifikojë shifrat e dhëna nga Madridi, duke bërë analizën përkatëse dhe duke arritur në konkluzione. Deficiti spanjoll ka prekur nivelin e 8,51% të PBB në fund të 2011-ës, me 2,5% më shumë se sa parashikimet e qeverisë së mëparshme të Zapateros. Sigurimet shoqërore që sipas parashikimeve duhet të regjistronin në fund të vitit një suficit me 0,4% në fakt, kanë rezultuar me një deficit  prej 600 milionë euro, apo 0,49% të PBB. Ndërkohë që deficiti i komunitetit autonom në fundvitin e kaluar është rritur me gati 3% të GDP-së, kundrejt 1,3% të parashikimeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›