E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE, kusht Serbisë: Hap zyrën e Kosovës

 Brukseli i ka vënë kushte të parealizueshme Serbisë për vazhdim të procesit të integrimeve europiane. Agjencia serbe e lajmeve FoNet citon shkrimin e gazetës Novi magazin, e cila pohon se për Serbinë do të jetë kusht hapja e Zyrës së Kosovës në Beograd.

Hapja e zyrës do të thoshte praktikisht hapja e ambasadës, e cila vetëm do të kishte emër tjetër, zyrë, por për autoritetet vendore, kjo është e papranueshme.

Nga Serbia, po ashtu, kërkohet të hapë përfaqësinë në Prishtinë, e cila krahas zyrës së Kosovës në Beograd, do të thoshte vendosje e marrëdhënieve diplomatike.

Krahas këtyre kushteve, mbesin edhe ato të vjetrat për të vazhduar eurointegrimin, si zbatimi i marrëveshjeve të arritura gjatë dialogut midis Beogradit e Prishtinës, shuarja e institucioneve paralele.

Gazeta Novi magazin thekson domosdoshmërinë e lëvizjes së papenguar të EULEX-it e të KFOR-it në pjesën veriore të Kosovës, si dhe hapjen e zyrës së misionit të Bashkimit Europian në veri. / Koha.net

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›