Gjyqi me fëmijët e Berishës, deputetët e PS, protestë para gjykatës

Argita dhe Shkelzen Berisha
Deputetët socialistë dhe të rinjtë e FRESSH, por edhe qytetarë, kanë protestuar gjatë ditës së sotme para gjykatës së Tiranës, pas kërkesës së deputetit Saimir Tahiri. Ky i fundit është paditur nga dy fëmijët e Berishës, Argita dhe Shkëlzeni. Tahiri ka kërkuar një ditë më parë ndihmë nga të gjithë kolegët dhe qytetarët, duke qenë se gjykata nuk ka marrë parasysh asnjë kërkesë të tij.
Mbase do e gjeni disi të pazakontë këtë kërkesë, por gjendem thuajse i detyruar të kërkoj ndihmën tuaj.
Siç besoj jeni në dijeni, prej ca kohësh po zhvilloj një proces gjyqësor pranë Gjykatës së Tiranës si i paditur nga fëmijët e kryeministrit, Argita dhe Shkëlzen Berisha.
Akuzohem për shpifje, sepse kam deklaruar këto fjalë: “fëmijët e kryeministrit janë të korruptuar”. Dëmshpërblimi që kërkojnë: 80 milionë lekë, nga 40 milionë secili.
Nuk do kërkoja ndihmën tuaj në rast se nuk do gjendesha përballë një procesi gjyqësor tërësisht qesharak, ku shkelja e ligjit është kthyer në rregull, cenimi i një procesi të rregullt gjyqësor është parim i munguar që në nisje dhe injorimi i të drejtave të mia si pale në proces tashmë është kthyer në praktikë.
Dhe në momentet e mia më të përmbajtura, këtë proces gjyqësor nuk mund të mos e quaj një shembull të dhunshëm të nënshtrimit të gjyqësorit ndaj forcës së pushtetit. Vetë gjyqtari i çështjes është peng i frikës së tij. Sepse paditës janë fëmijët e kryeministrit.
Gjate këtij procesi kam kërkuar që të administrohen prova. Gjykatësi nuk ka pranuar.
Kam kërkuar që të thirren dëshmitarë. Gjykatësi përsëri nuk ka pranuar.
I kam kërkuar gjykatës të kërkojë nga të tretët dokumentacion që në bindjen time mund të ketë vlerën e provës. Gjykatësi përsëri nuk ka pranuar.
Ndërkohë që paditësit kanë paraqitur si provë vetëm certifikatën familjare, diploma shkollash dhe deklaratën time. Kaq! Vetëm kaq!, ka thënë një ditë më parë Tahiri.