E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbetet pa presidencë



Çekët nuk i janë gëzuar presidencës së radhës së Bashkimit Evropian që u mbaron në qershor. Parlamenti çek ka krijuar një rekord të pazakontë, duke rrëzuar qeverinë, e cila drejtonte unionin dhe po ndiqte politika mbështetëse për zgjerimin e tij. Në orët e djeshme të pasditesh ka rënë qeveria kryesuese e Bashkimit Evropian. Pas një mocioni mosbesimi të ngritur nga opozita, është rrëzuar qeveria çeke e Mirak Topolanek. Mocioni i Partisë Socialdemokrate arriti të marrë 101 vota pro, duke bërë të mundur largimin e qeverisë së djathtë. Kjo është hera e parë që rrëzohet qeveria që mban presidencën e radhës të BE-së dhe në këtë kontekst ka shkaktuar një tronditje në radhët e saj. Ndërmjet votave që kundërshtuan qeverinë e Topolanek, ishin edhe 4 deputetë të koalicionit qeverisës, të cilët bënë të mundur shumicën rrëzuese. Në këtë mënyrë, Parlamenti çek ka vendosur një rekord, edhe pse politikanët e partisë në pushtet bënë thirrje se një rrëzim i qeverisë do të dëmtonte imazhin e Çekisë në Evropë. Mocioni i mosbesimit u paraqit nga opozita socialdemokrate dhe u votua me 101 vota pro nga 200 deputetë që ka Parlamenti. Qeveria kishte vetëm 96 vota në favor të saj. Ndërkohë ende nuk është e qartë se çfarë do të bëhet më tej, nëse qeveria e Topolanek do të qëndrojë ende në pushtet deri sa politikanët të bien dakord për hapat e mëtejshëm. Bisedime të tilla mund të zgjasin me javë ose me muaj dhe mund të ndodhë që Topolanek të vazhdojë të drejtojë presidencën e Bashkimit Evropian. Në fakt, mocioni ka të bëjë me kundërshtimin e mjaft politikave qeveritare. Socialdemokratët në opozitë kërkonin politika më të mëdha për taksat dhe shpenzimet, kundërshtonin reformën qeveritare në sektorin e shëndetësisë dhe ishin kundër planit amerikan për dërgimin e sistemit të radarëve në Republikën Çeke, një plan që tashmë është lënë pezull. Kriza në Çeki pason atë të Hungarisë, ku Kryeministri Ferenc Gyrshani dha dorëheqjen, pasi nuk e përballonte dot krizën. Po kështu kanë rënë edhe qeveritë e Islandës dhe Letonisë, për shkak të krizës ekonomike. Rrëzimi i Kryeministrit Topolanek është një sinjal negativ për vendet e Ballkanit, pasi ai ishte shprehur gjithmonë në favor të integrimit të këtij rajoni në Bashkimin Evropian.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›