Nis aplikimi për pasaportat biometrike
Ministria e Brendshme bëri të ditur se duke nisur nga sot, mund të bëhen aplikimet për të marrë pasaportën biometrike. Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësi i kësaj ministrie, Fatmir Konja, deklaroi se procesi është gati. “Ministria e Brendshme informon opinionin publik se duke filluar nga data 25 mars 2009 fillon procesi i aplikimit të qytetarëve për pajisjen me pasaporta biometrike”,- tha Konja. Ai deklaroi se fillimisht procesi do të nisë në qytetin e Tiranës, për t’u shpërndarë gradualisht në të gjithë vendin. “Ky proces do të nisë fillimisht në Tiranë dhe qytetarët munden të aplikojnë në qendrat përkatëse pranë çdo njësie bashkiake”, - tha zëdhënësi. Ai bëri të ditur se aplikimi për pasaportë biometrike është i ngjashëm me atë të aplikimit për letërnjoftimin e ri. “Procesi i aplikimit për pasaportë biometrike është i njëjtë me procesin e aplikimit për letërnjoftimin elektronik, thjesht qytetarët duhet të blejnë pranë zyrave postare kuponin për pasaportën biometrike”, - tha më tej Konja. Kështu aplikimi nuk zgjat më shumë se disa minuta. Duhet të lihen gjurmën e gishtave, firma dixhitale, fotografia si dhe formulari përkatës. Në deklaratën për shtyp, Ministria e Brendshme deklaroi se ky proces është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët. Pasaportat aktuale nuk do të vlejnë më në fillim të vitit të ardhshëm për të udhëtuar jashtë shtetit. Pas 1 janarit të vitit 2010, qytetarët do të duhet të udhëtojnë jashtë vetëm me pasaportat e reja. Çmimi për pasaportën e re do të jetë sa ai për të vjetrën, 5 mijë lekë të reja. “Pajisja e qytetarëve shqiptarë me dokumentet e reja të identitetit ka një rëndësi të madhe për procesin e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian dhe në mënyrë të veçantë për liberalizimin e vizave. Për më tepër, numri i pasaportave biometrike të lëshuara për qytetarët shqiptarë do të jetë një argument i rëndësishëm për liberalizimin e vizave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian”, - deklaroi zëdhënësi i ministrisë. Në fund të deklaratës, ministria u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë për t’u pajisur me karta të reja identiteti. “Ministria e Brendshme u bën thirrje edhe njëherë të gjithë qytetarëve shqiptarë t’u drejtohen zyrave të aplikimit për dokumentet e reja të identitetit, letërnjoftimin elektronik dhe pasaportën biometrike”, - bëri thirrje zëdhënësi Fatmir Konja.
Numërimi i votave, KQZ-ja kërkon ambientet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Ministria e Brendshme i kërkuan drejtuesve të pushteti vendor që të përgatisin terrenin për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore. Kreu i KQZ-së, Arben Ristani dhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, u kërkuan drejtuesve të bashkive dhe komunave që të përcaktojnë ndërtesat ku do të vendosen komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve dhe më pas qendrat e numërimit të votave. Ristani tha se kësaj here, rregullat janë më specifike, pasi kërkohen ambiente me sipërfaqe të caktuar, si dhe të përshtatshme për t’u pajisur me kamerat e vëzhgimit. “Vendet e numërimit të votave kësaj radhe kanë një specifik plus dhe shumë të rëndësishme, që do të parashikohet dhe do të montohet infrastruktura e kamerave që do të mbikqyrë procesin e numërimit të votave", - u shpreh Ristani.
Njëkohësisht ai kërkoi që lista e zgjedhjeve të publikohet sa më shpejt por në asnjë mënyrë jo më vonë se 1 muaj para zgjedhjeve. “Duhet të kini parasysh se me të mbaruar lista përfundimtare e zgjedhësve, por në asnjë mënyrë jo më vonë se një muaj nga data e zgjedhësve, do të na bini sasinë e zgjedhësve që do të ketë çdo qendër votimi, pasi mbi këtë bazë do të ndërtojmë fletët e votimit”, - tha Ristani. Nga ana tjetër, zëvendësministri Poni kërkoi zbatimin e Kodit Zgjedhor, si dhe u ndal në veçanti në përcaktimin sa më parë të ambienteve për KZAZ dhe për qendrat e numërimit të votave. Poni kërkoi edhe bashkëpunimin dhe angazhimin e drejtuesve vendorë për të nxitur qytetarët në procesin e aplikimit për letërnjoftime elektronike, duke theksuar se kapacitetet e vëna në dispozicion janë më se të mjaftueshme për pajisjen me to deri në zgjedhje të të gjithë qytetarëve që nuk zotërojnë pasaportë për udhëtim jashtë shtetit.
Kartat, Roshi: PS të heqë dorë nga filozofia negative
Kryetari i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi, deklaroi dje se Partia Socialiste po jep një impakt negativ mbi procesin e pajisjes së qytetarëve me letërnjoftime të reja. Sipas kreut të PBKD-së, kjo duket se është brenda filozofisë së majtë, që sipas tij, çdo problem tentojnë ta zgjidhin me filozofi negative. Ai shtoi se qeveria ka vënë në dispozicion të gjithë infrastrukturën e duhur për këtë proces, që sipas Roshit, është vlerësuar edhe nga faktorët ndërkombëtarë. “Partia Socialiste po jep impakt negativ në këtë proces, por që është brenda filozofisë së tyre, që çdo problem e zgjidhin me negativitet. Ndërsa qeveria ka stimuluar vullnetin e qytetarëve për të pajisur qytetarët me karta identiteti”, - deklaroi Artur Roshi. Ai më tej ftoi qytetarët të aplikojnë për dokumentet moderne. “PBKD fton gjithë qytetarët dhe veçanërisht anëtarët dhe simpatizantët e saj të kujdesen për pajisjen e tyre dhe të afërmve të tyre me karta identiteti”, - thuhej në një deklaratë për shtyp të kësaj partie. Partitë politike duhet të zhvillojnë debat politik konstruktiv, duke hequr dorë nga përfitimet politike me rrugë të vjetruara”, - tha Roshi, duke shtuar se “opozita të bëjë thirrje për qytetarët”.
Milo, ndryshe nga PS: Aplikoni për kartat
Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, u bëri thirrje dje qytetarëve të shkojnë sa më shpejt për të aplikuar për karta identiteti, ndryshe nga Partia Socialiste, në koalicion me të. Ai deklaroi se qytetarët duhet të votojnë, ndaj dhe pajisja me karta identiteti është e domosdoshme. Milo tha më tej se nuk duhet të pritet që karta të jepen falas, pasi sipas tij, Kryeministri nuk e dëshiron. “Ne u bëjmë thirrje shqiptarëve që të shkojnë në kutitë e votimit, të mos presin që Sali Berisha t’u japë falas kartat e identitetit, ndonëse ne i bëjmë thirrje, ai nuk do ta bëjë këtë gjë”, - deklaroi dje Milo.
Ambasadori i ri belg paraqet letrat kredenciale
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje Ambasadorin e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Belgjikës në vendin tonë, z. Mark Mishelsen, i cili paraqiti letrat kredenciale. Ambasadori Mishelsen, pasi uroi Topin për arritjet e vendin, të cilat do të kurorëzohen së shpejti me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, nënvizoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve bilaterale mes dy vendeve do të jetë objektivi kryesor i punës së tij në Shqipëri. Gjatë takimit u shpreh interesi dhe vlerësimi reciprok për thellimin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve jo vetëm në fushën politike. Njëkohësisht dje Presidenti i Republikës priti në një takim drejtoren e Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Margaret Çan dhe delegacionin që e shoqëronte të përbërë nga gjashtë drejtorët rajonalë të kësaj organizate.
Arkivi i ushtrisë, festohet 45-vjetori
Forcat e Armatosura kremtuan dje 45-vjetorin e themelimit të Arkivës së Ushtrisë Shqiptare. Fjalën e rastit në këtë aktivitet e mbajti drejtori i Arkivit, nënkolonel Zaho Golemi, i cili foli për rrugën 45-vjeçare të arkivit, arritjet, kontributin e dhënë në përpunimin, ruajtjen dhe mirëmbajtjen e tërë dokumentacionit të Forcave të Armatosura, si dhe për bashkëpunimin me institucionet e tjera të vendit tonë. Në përshëndetjen që mbajti me këtë rast ministri Oketa, ndër të tjera, theksoi se arkivat janë memoria e çdo institucioni. “Vetëm në pak ditë, në këtë Arkiv do të shtohet edhe një nga momentet më kulminante të historisë së Forcave të Armatosura dhe të vendit tonë, ai i hyrjes në NATO”,- tha Oketa.