“Shengeni ballkanik”, hiqen vizat me Bosnjë-Hercegovinën
Ideja e “Shengenit ballkanik”, për një Ballkan pa viza me lëvizje të lirë, po merr jetë. Kryeministri Sali Berisha zhvilloi një vizitë në Bosnjë-Hercegovinë, ku u arrit të nënshkruhen 4 marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, njëra, ajo e lëvizjes së lirë të qytetarëve. Pas premtimit të Kroacisë për heqjen e vizave me shqiptarët brenda vitit 2009, Bosnjë-Hercegovina ndoqi të njëjtën politikë, madje firmosi marrëveshjen në vizitën e Kryeministrit Berisha në Sarajevë. Shtetasit boshnjakë dhe shqiptarë nuk do të kenë më nevojë për t’u pajisur me vizë për të udhëtuar. Kryeministri zhvilloi takime të nivelit të lartë në Sarajevë, duke rikonfirmuar se mes dy vendeve, bashkëpunimi ndodhet në majë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Berisha tha se mes dy vendeve u nënshtruan katër marrëveshje. Krahas heqjes së vizave, u nënshkrua marrëveshja për lehtësitë doganore, ajo për ripranimin e personave si dhe të policisë. “Në 2-3 tre vitet e fundit, marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë intensifikuar më shumë se kurrë, çka tregon vullnetin e fortë të qeverive dhe institucioneve tona për bashkëpunim, si dhe ndjenjat miqësore që kanë popujt tanë”, - tha Berisha. Ai ftoi qytetarët e Bosnje-Hercegovinës të vizitojnë Shqipërinë këtë verë për të kaluar pushimet. Nga ana e tij, Kryeministri boshnjak, Nikola Shpiriç vlerësoi se ndërmjet Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës ekzistojnë marrëdhënie të mira tregtare, por të dy vendet do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha. “Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve në shumë fusha, janë shumë të mira, por mund të forcohen edhe në disa fusha të tjera si turizëm, ekonomi, kulturë, arsim etj.”, - tha Kryeministri boshnjak. Ai premtoi se nga ana e vendit të tij do të bëhen hapa konkretë për rritjen e marrëdhënieve, si hapja e ambasadës në Tiranë. “Bosnje-Hercegovina do të bëjë çdo përpjekje për të hapur ambasadën e saj në Shqipëri. Marrëveshjet që nënshkruam, do të thotë lëvizje konkrete për të përmirësuar bashkëpunimin dhe marrëveshje të tjera do të nënshkruajmë. Kryeministri Berisha ka të drejtë kur thotë se në këta tre vjet kemi përmirësuar shumë marrëdhëniet politike ndërmjet vendeve tona”, - shtoi ai. Këtë premtim bëri edhe Kryeministri Berisha, i cili tha se hapja e ambasadës shqiptare në Bosnjë do të jetë prioritet.
Gjatë konferencës për shtyp, Kryeministri Berisha tha më tej se të dy vendet po ruajnë stabilitet në kushtet e një krize ndërkombëtare ekonomike. “Tani është një kohë krize e thellë në vendet më të zhvilluara në botë. Kjo krizë nuk do të jetë e shkurtër, por ekonomitë e Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës po mbahen mirë dhe do të kenë një rritje solide këtë vit. Kjo, sepse qeveritë tona kanë ndjekur politika të mira dhe të drejta”, - shtoi Berisha. Nga homologu boshnjak, Berisha mori urime për anëtarësimin në NATO si dhe reformat drejt integrimit në BE. Kreu i qeverisë shqiptare ftoi edhe bizneset boshnjake që të investojnë në Shqipëri.
4 marrëveshjet
-Marrëveshja për kooperimin e policisë e nënshkruar nga ministri i Sigurisë së Brendshme, z. Tarik Sadoviç dhe ambasadori i Shqipërisë në Kroaci, z. Pëllumb Qazimi.
- Marrëveshja “Për ripranimin e personave”, e nënshkruar nga Tarik Sadoviç dhe z. Ferit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
- Marrëveshja për lëvizjen e lirë të qytetarëve, e nënshkruar nga znj. Ana Trishiç Babiç, ministrja e Jashtme e Bosnje-Hercegovinës dhe z. Ferit Hoxha, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
- Marrëveshja për doganat, e nënshkruar nga z. Mladen Ziroviç, ministër për Tregtinë e Jashtme të Bosnje-Hercegovinës dhe z. Florion Mima, zëvendësministër i Financave të Shqipërisë.
Ambasadë shqiptare, së shpejti në Sarajevë
Gjatë vizitës së tij në Bosnjë-Hercegovinë, Kryeministri Berisha u takua me përfaqësuesit e Presidencës së këtij vendi. Duke iu referuar nënshkrimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të nënshkruar dje ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës, Kryeministri Berisha u shpreh se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të mundësojë lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave, ndërmjet dy vendeve. Kryeministri Berisha u bëri të ditur anëtarëve të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës se shumë shpejt Shqipëria do të hapë ambasadën e saj në Sarajevë. Anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës e falënderuan Kryeministrin Berisha për këtë vendim, ndërsa u shprehën se dhe ata kanë si qëllim hapjen e një ambasade në Tiranë dhe do ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur. Përfaqësuesit e Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës shfaqën interes dhe shprehën mbështetjen e tyre për projektin e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP)
Parlamentarët boshnjakë vlerësojnë diplomacinë shqiptare
Në vijim të vizitës në Bosnje-Hercegovinë, Kryeministri Berisha u prit në një takim nga kryetari i Parlamentit, Beriz Belkiç, dhe shumë parlamentarë të tjerë. Në takimin me Kryeministrin shqiptar, deputetët boshnjakë vlerësuan integrimin dhe rolin e diplomacisë shqiptare. “Dëshirojmë të ndjekim rrugën tuaj drejt integrimit, të shpejtojmë hapat në këtë rrugë dhe e shohim si shumë të vlefshme përvojën tuaj. Diplomacia parlamentare luan një rol shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet tona”, - u shprehën ata. Ata përgëzuan Kryeministrin Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO në samitin e ardhshëm të prillit, duke e vlerësuar këtë si një ditë të madhe për Shqipërinë. Kryetarët e Dhomave të Parlamentit të Bosnje-Hercegovinës u shprehën se Shqipëria përbën një shembull për Bosnje-Hercegovinën në rrugën e saj të integrimit. Nga ana e tij, Berisha u shpreh se mes dy vendeve do të punohet më shumë për rritjen e bashkëpunimit. “Jemi vende mike dhe ka shumë hapësirë për bashkëpunim mes dy vendeve tona. Marrëveshjet që nënshkruam do t`i bëjnë vendet tona më të sigurta në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe do të jenë shtysë për marrëdhëniet ekonomike midis Shqipërisë dhe Bosnje-Hercegovinës”, - u shpreh Kryeministri.
Siguria në Evropë, Basha, në Rigë
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, mori dje pjesë në mbledhjen e ministrave të Punëve të Jashtme të grupimit Adriatik-Baltik-Atlantik. I ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë, Maris Riektins, Basha po zhvillon në Riga një takim, ku pritet të takohet me mjaft prej homologëve të tij. Në këtë takim, në të cilin marrin pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të Kartës A-5, të tre vendeve të Baltikut dhe zv.ndihmësekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutohet rreth çështjeve që lidhen me sigurinë në kontinentin tonë, në prag të 60-vjetorit të NATO-s, si dhe perspektivave të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor e forcimit të bashkëpunimit në funksion të integrimit të të gjithë rajonit në strukturat euroatlantike. Ministri Basha pritet të ketë takime me këto personalitete, ku do të diskutohet në lidhje me çështjet e sigurisë. Shqipëria do të jetë anëtarë e NATO-s vetëm në pak ditë.