E Diel, 1 Nëntor 2026

PD-ja thërret në maj organin më të lartë vendimmarrës

25/03/2009  Kongresi i demokratëve para zgjedhjeve

Miratohet programi elektoral dhe ndryshimet statusore

Partia Demokratike do të mbledhë Kuvendin Kombëtar (Kongresin) e saj jozgjedhor në mes të muajit maj. Gjatë mbledhjes së organit më të lartë të kësaj force politike, mësohet se do të miratohet lista e kandidatëve për deputetët e ardhshëm në bazë të 12 qarqeve të vendit. Burimet kanë bërë të ditur se ky kongres është parashikuar të mblidhet një javë deri në 10 ditë para nisjes zyrtare të fushatës elektorale, në funksion të zgjedhje të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Gjatë këtij kongresi do të miratohet strategjia elektorale, të cilën do të ndjekë PD-ja me qëllim fitoren e zgjedhjeve. Po ashtu kongresi do të miratojë edhe programin qeverisës të Partisë Demokratike për katër vjetët e ardhshëm të drejtimit të vendit, nëse do të arrijë të fitojë këtë përballje elektorale. Në kongresin e mesit të muajit maj PD-ja do të shprehet edhe në lidhje me ndryshimet statusore që u bënë në mbledhjen e kryesisë së përgjithshme në muajin tetor të vitit të kaluar, gjatë së cilës u vendos shkrirja e nëndegëve të partisë. Në statutin e PD-së thuhet se vendimin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar e merr Këshilli Kombëtar me propozimin e kryetarit të partisë ose të kryesisë qendrore. Sipas statutit, data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën dy muaj përpara ditës së parë të Kuvendit. Në nenin 39 të statutit të PD-së sanksionohen kompetencat e Kuvendit Kombëtar. Ndër të tjera Kuvendi vendos për programin e partisë dhe linjat kryesore të politikës së saj, të cilat janë bazë pune për të zgjedhurit e PD-së në nivel qendror e lokal, si dhe për pushtetin ekzekutiv të drejtuar prej saj. Po ashtu Kuvendi miraton statutin e partisë dhe ndryshimin e tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›