E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE mbron hetimin e EULEX-it ndaj Limajt

Ndihmësi i baroneshës Ashton bisedoi me Thaçin nëpërmjet telefonit

Prokuroria Speciale e Kosovës ka përcaktuar dyshim të bazuar se ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, dhe shefi i prokurimit në këtë ministri, Nexhat Krasniqi, kanë keqpërdorur miliona euro të shtetit. Një ditë pas bastisjeve të kryera në ministrinë që drejton Limaj, në pronat e tij dhe në disa firma, prokuroria ka bërë të ditur për mediat e Prishtinës se Limaj e Krasniqi, të cilët tashmë kanë zënë avokatë mbrojtës, dyshohen se kanë kryer krime ekonomike në tenderët për ndërtimin e rrugëve në Kosovë. Ky dyshim ka bërë që njësiti për luftimin e krimeve ekonomike “Guarda di Finanzia”, i mbështetur nga njësitë e tjera speciale të Policisë së EULEX-it, të mërkurën dhe të enjten, të kryejnë bastisje në pronat e këtyre dy zyrtarëve, por edhe në këtë ministri. EULEX-i, nëpërmjet një komunikate, ka pranuar se hetimet po bëhen për tenderët e rrugëve, ndërkaq që bastisjet i ka vlerësuar vetëm si aksione për mbledhje të provave. “Hetimet dhe bastisjet ndërlidhen me disa tenderë për ndërtimin e rrugëve në Kosovë gjatë periudhës 2007-2009. Bastisjet janë autorizuar paraprakisht nga gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Fernando de Mongeot. Prokurorët specialë të EULEX-it ishin të pranishëm në vendngjarje për të siguruar mbledhjen efektive të materialit dëshmues dhe për t’u dhënë shpjegime të plota dhe të duhura personave të pranishëm në vendngjarje...”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e EULEX-it. Ndërkaq, EULEX nuk e ka përjashtuar mundësinë që hetimet të rrisin numrin e të dyshuarve brenda dhe jashtë kabinetit të Kryeministrit Thaçi. Pjesë e hetimeve janë edhe të paktën tri kompani, të cilat kanë përfituar tenderë nga ministria e Limajt. Hetimet po udhëhiqen nga prokurori special i EULEX-it, Eduardo Gueron, ndërkaq që bastisjet janë bërë me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake në EULEX, Fernando de Mongeot. Prokuroria ka shpjeguar edhe detajet e provave të konfiskuara nga EULEX-i dhe detaje të tjera të këtij hetimi. Ndërsa shefi i EULEX-it e ka bërë për dyshimet e misionit të tij, ndërkaq që si ushtarak që është “nuk ka pranuar të flasë për ambientin politik dhe efektet që mund të ketë aksioni”. Madje një qëndrim të tillë, Kermabon e ka ritheksuar disa herë, duke e përsëritur se misioni i tij është teknik dhe se qëllim të vetëm ka sundimin e ligjit. Këmbëngulësia prej ushtaraku e gjeneralit francez Yves de Kermabon dhe raportet jo aq “të ngrohta” të Kryeministrit Thaçi me përfaqësuesin special të BE-së, Pieter Feith, e kanë vendosur BE-në në një pozitë që Kryeministrit Thaçi t’ia bëjë me dije mbështetjen për aksionin e EULEX-it nga një pozicion më i lartë.

Të enjten, Kryeministri Thaçi është ftuar për një bisedë në telefoninë fikse nga Robert Cooper, drejtor i përgjithshëm për çështje të jashtme ushtarake në Këshillin Europian. Cooper, që ka telefonuar nga Pekini, kur për vizitë po qëndron bashkë me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme, Catherine Ashton, është dashur që të priste për disa kohë në telefon, ngase Kryeministri Thaçi ka refuzuar që të bisedonte në linjë fikse. Shefi i ekzekutivit kosovar është arsyetuar se është duke hyrë në një takim, andaj linja fikse është e papërshtatshme për të.
Vetëm pas një kohe, kreu i qeverisë e ka pranuar telefonatën, por në një telefon mobil. Cooper, siç bën të ditur e përditshmja e Prishtinës “Koha Ditore”, i ka prezantuar Kryeministrit Thaçi mbështetjen e plotë të BE-së për aksionin e EULEX-it dhe punën e këtij misioni në luftimin e krimit. Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë kanë thënë se aksioni i bastisjes nga EULEX-i, mund të shihet edhe si dëshmi për gatishmërinë e këtij misioni që të luftojë korrupsionin në Kosovë. “Ambienti politik është ambient politik. Në Kosovë ndoshta edhe shumë vite nuk do të mund të krijohet ambient kur drejtësia nuk pyet dhe vepron pa marrë parasysh rrethanat, mirëpo ne duhet t’ia fillojmë diku. Drejtësia duhet të veprojë”, ka thënë për “Koha Ditore” një zyrtar i lartë ndërkombëtar, i afërt me këto zhvillime. Sipas këtij zyrtari, i takon Kryeministrit Thaçi që të vendosë nëse do të shkarkojë ministrin Limaj, apo të lejojë që EULEX-i ta hetojë atë përderisa mban postin e ministrit. Ndërkohë, të mërkurën, ministri Limaj ka angazhuar si avokat mbrojtës këshilltarin e Kryeministrit Thaçi, Tomë Gashi.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›