“Viti 2010, i jashtëzakonshëm për aspiratat e integrimit të Shqipërisë”
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli organizon konferencën “Roli i grave në politikë”
“Jam jashtëzakonisht krenare nga raporti i Komisionit Europian për heqjen e vizave. Ashtu si arritja e datave të tjera historike për vendin tonë edhe kjo është një datë dhe do të jetë një datë e tillë, ky vit do të jetë një vit i jashtëzakonshëm”.
Me këto fjalë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli hapi sot punimet e Konferencës “Roli i grave në politikë”, e organizuar nën kujdesin e veçantë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Ambasadës së Francës në Tiranë.
Konferenca, u organizua në sallën “Pjetër Arbnori”, në ambientet e Kuvendit, ku të ftuar ishin Drejtoresha e Kërkimit Politik CEVIPOF, Janine Mossuz-Lavau, Ambasadorja e Greqisë, Zvicrës, Polonisë, deputetë etj.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Kryetarja Jozefina Topalli vuri në dukje momentet historike që po përjeton Shqipëria duke vlerësuar këtu reformat e gjithanshme që mundësuan dorëzimin e Pyetësorit për marrjen e statusit kandidat në BE si dhe realizimin e afër të liberalizimit të vizave, projekt jetik për mbarë shqiptarët.
Kryetarja Jozefina Topalli shprehu mirënjohjen dhe falënderimet e saj për pjesëmarrjen dhe interesin e të ftuarve lidhur me rritjen dhe forcimin e rolit të gruas në politikë
Në vijim ajo vlerësoi se falë angazhimit dhe ligjeve të miratuara, Shqipëria është një vend ku shifrat janë në favor të gruas.
Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit kërkoi nga të pranishmit në konferencë bashkëpunimin në luftën kundër kancerit, një fenomen që po përhapet gjithnjë e më shumë.
Në këtë kontekst ajo renditi disa nga temat prioritare që Parlamenti ka trajtuar duke veçuar temën e dhunës në familje si një fenomen i rëndë, i dhimbshëm dhe i papranueshëm.
Më pas fjalën e mori Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet e cila e vlerësoi temën për rolin e gruas në politikë si një temë aktuale jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet e tjera të Europës.
Konkretisht ajo theksoi se ka shumë debate që bëhen sot në lidhje me këtë temë në Europë dhe sipas saj në mbarë botën kjo temë është në qendër të diskutimeve, është një temë e lashtë dhe gjithmonë e më shumë e rrahur.