E Diel, 1 Nëntor 2026

“Raporti i KE-së, qartësisht pozitiv”

Kryeministri Sali Berisha mbledh Komitetin Ndërministror për vizat

Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua dje mbledhja e Komitetit Ndërministror të Integrimit. Fillimisht, kryeministri falënderoi përzemërsisht Komisionin Evropian dhe ekspertët për raportin shumë objektiv që paraqitën mbi ecurinë e plotësimit të objektivave të Udhërrëfyesit, për heqjen e vizave për Shqipërinë.
“Siç është në frymën më të mirë të bashkëpunimit me ketë institucion, raporti paraqet me vërtetësi dhe realizëm, si dhe ka marrë parasysh të gjitha faktet, dokumentet e paraqitura nga autoritetet shqiptare. Kështu që unë kam vetëm vlerësimin më të madh për objektivitetin që kanë treguar ata, të cilët kanë hartuar këtë raport. Raporti është qartësisht pozitiv. Ky është vlerësimi i përgjithshëm”, tha Berisha.
Me këtë rast, kryeministri falënderoi të gjithë anëtarët e Komisionit ndërministror, drejtuesit e institucioneve dhe agjencive, si dhe punonjësit e tyre, të cilët me punën, përkushtimin, profesionalizmin dhe integritetin e tyre bënë të mundur që për Shqipërinë të lëshohet një raport i tillë.
Duke theksuar se ky proces, është një proces në vazhdim, i cili nuk ndalet edhe pas heqjes së vizave, kryeministri u shpreh se në çdo hap të mëtejshëm detyrimet bëhen më të më mëdha.
Kryeministri ritheksoi se hapa të mëdha të rëndësishme janë bërë në aspektin ligjor, sic janë përmirësimet në ligjin e konfiskimit të pasurive, miratimi i ligjit kundër diskriminimit, etj.
Duke e vlerësuar heqjen e vizave si një status të ri për Shqipërinë, Kryeministri theksoi se është shumë e nevojshme që kapacitetet e institucioneve të përshtaten dhe të konsolidohen 100 për qind në përputhje me statusin e ri, kur vendi fiton përgjegjësi të reja
Ndër të tjera, kryeministri u shpreh se fushata mediatike e sensibilizimit të qytetarëve me domethënien reale të heqjes së vizave është mirëpritur, por duhet të vazhdojë edhe më tej.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›