BE me aleancë kundër Francois Hollande

Vendet më të rëndësishme të Bashkimit Europian kanë vendosur që të bëjnë aleancë kundër kandidatit socialist për president në Francë. Sipas informacioneve të revistës gjermane, Der Spiegel, Angela Merkel ka arritur të bashkojë me një mendje kryeministrin italian, atë spanjoll dhe atë britanik.
Asnjëri prej tyre nuk do e presë Francois Hollande në zyrën e tij. Dhe arsyeja nuk është se këta të katër kanë simpati për presidentin aktual të Francës, Nicolas Sarkozy, por më shumë i druhen premtimit të Hollande se do të rishikojë paktin fiskal të nënshkruar mes 25 vendeve të BE-së.
Edhe kryeministri britanik, David Cameron, që nuk e ka nënshkruar këtë pakt, sërish dëshiron që Sarkozy të jetë në pushtet.
Aktualisht, Hollande në anketa kryeson para Sarkozysë.