E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Financave sqaron formulën e pagesës së tatimit mbi të ardhurat për biznesin e vogël

“Biznesi i vogël do të rimbursohet, për shumën e tepërt të parapaguar”

Ministria e Financave sqaroi dje opinionin publik lidhur me aplikimin e taksës së sheshtë për biznesin e vogël dhe implikimet e mundshme mbi të. Sipas burimeve të kësaj ministrie, për të shmangur çdo keqinterpretim të qëllimtë dhe për ta kuptuar më mirë aplikimin praktik të saj, drejtoria përkatëse e këtij dikasteri jep një shembull konkret.

“Biznesi ‘x’ është i regjistruar si subjekt i taksës vendore mbi biznesin e vogël dhe realizon një xhiro vjetore prej 7 milionë lekë. Taksa vendore mbi biznesin e vogël llogaritet duke shumëzuar xhiron vjetore me shkallën tatimore prej 1,5% dhe paguhet në 4 këste të barabarta për çdo tremujor. Subjekti ‘x’ duhet të paguajë pranë komunës a bashkisë një taksë vjetore të barabartë me 7 milionë x 1,5%=10,5 milionë lekë. Me përfundimin e vitit kalendarik subjekti duhet të dorëzojë pranë degëve të tatimeve një pasqyrë të të ardhurave dhe shpenzimeve dhe të llogarisë fitimin e tatueshëm e më tej tatimin përfundimtar”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie. 

Duke e bërë më transparent këtë detyrim, këto burime sqarojnë: “Të supozojmë se subjekti ynë ka 6 milionë lekë shpenzime të zbritshme ku përfshihet kosto e mallrave dhe shërbimeve të blera, pagat, sigurimet shoqërore, qiratë, faturat e energjisë, telefonisë, amortizimin e aktiveve të qëndrueshme dhe çdo shpenzim tjetër të lejuar nga ligji. Diferenca mes të hyrave gjithsej dhe shpenzimeve të zbritshme na jep të ardhurat e tatueshme të cilat në rastin tonë do të ishin 7 mln – 6mln= 1 milionë lekë. E ardhura e tatueshme po te shumëzohet me shkallën tatimore prej 10% na jep tatimin real mbi të ardhurat personale që duhet të paguante subjekti: 1 mln x 10% = 100.000 lekë. Por ndërkohë subjekti ka parapaguar 105.000 lekë pranë bashkive dhe komunave të cilat janë të zbritshme nga tatimi real. Në rastin tonë subjekti ka paguar 105.000 –100.000 = 5 mijë lekë më shumë, sesa duhet ndaj ligji thotë se në këtë rast subjektit i lind e drejta për të kërkuar rimbursim për tatimin e paguar tepër. Ky rimbursim jepet nga fondet e pushtetit qendror dhe të ardhurat e bashkive dhe komunave nuk preken”, bënë të ditur burimet e ministrisë së Financave. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›