E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit takon banorët e komunave Dajç, Bushat dhe Bërdicë, apelon për pajisje me pasaporta elektronike

“Vitin e parë të mandatit të ardhshëm, lëvizje e lirë për shqiptarët”

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në vijim të turit të saj “NATO-ne ia dolëm mbanë”, u takua të mërkurën me banorë të komunave Bushat, Dajç e Bërdicë në Qarkun e Shkodrës, ku ndër gjithë panoramën e zhvillimit që ka pësuar vendi, u premtoi atyre se vitin e parë të mandatit të ardhshëm do të mundësohet lëvizja e lirë e shqiptarëve. Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Nuk ka gjë më të rëndësishme se sa të bëjmë të mundur, që në fund të vitit të parë të mandatit të ardhshëm, të arrijmë liberalizimin e vizave”. 

Duke marrë parasysh faktin se një pjesë e popullsisë jeton në emigracion, Kryetarja Topalli u shpreh se “S’ka detyrim më të madh për ne sesa t’i themi çdo shqiptari se në fund të vitit të parë të mandatit tjetër ne do të bëjmë të mundur që të lëvizim pa viza. Sepse ky komb ka 1/3 e popullsisë në emigracion”. 

Kryetarja e Kuvendit. Topalli solli në vëmendje dhe faktin se tashmë ka hyrë në fuqi MSA Shqipëri-BE, duke theksuar se tashmë “produktet dhe prodhimet shqiptare janë pjesë e tregut të BE-se”. 

Në këto pak orë të mbetura nga numërimi i momentit të anëtarësimit në NATO, Kryetarja e Kuvendit tha se “kjo ngjarje madhore, sublime për historinë kombëtare, e klasifikon Shqipërinë, si vendi i progresit, si vendi që e kanë besuar dhe mbështetur  të gjitha parlamentet, qeveritë e BE-së dhe NATO-s”. 

Duke folur më tej për zhvillimin ekonomik të vendit, Topalli u shpreh se “Këto vite kanë qenë vite të vrapit të reformave në fushën fiskale, të drejtësisë, të ekonomisë e privatizimit”. 

Kryetarja e Kuvendit foli dhe për zhvillimin në Komunën e Bushatit, ku veçoi ndërtimin e nënstacionit 20 mijë kilovat me vlerë 1.7 milionë euro si dhe investimet e realizuara nga vetë komuna. 

Duke folur për krizën ekonomike, Kryetarja Topalli tha se “Ndërkohë që jemi të rrethuar nga kriza ekonomike globale dhe vendi ynë vazhdon të ketë rritje ekonomike, bashkia e Tiranës, është e vetmja bashki që rrit taksat. Kjo është një papërgjegjshmëri e paimagjinueshme”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. 

Kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje dje banorëve të komunave të shkojnë për të aplikuar për kartat e identitetit, standard kryesor për një vend anëtar të NATO-s. Gjatë takimeve të zhvilluara ditën e djeshme me banorët Bushatit dhe Dajçit Kryetarja e Kuvendit e cilësoi këtë proces, si moment dinjiteti për çdo qytetar. 

Në komunën e Bërdicës Kryetarja e Kuvendit vizitoi gjendjen civile të komunës, ku ndaloi dhe në qendrën e aplikimit të kartave të identitetit. Kryetarja e Kuvendit, shoqëruar nga autoritet e komunës vlerësoi punën në këtë qendër, e cila funksionon me të gjitha kushtet teknologjike si qendrat në çdo qytet tjetër të Shqipërisë. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›