BE, mision të ri të tij në veri të Mitrovicës

Bashkimi Evropian hap zyrtarisht një mision të ri të tij në veri të Mitrovicës, "Shtëpia e BE-së", me synimin për të shtendosur marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në këtë zonë të Kosovës. Misioni do të drejtohet nga ambasadori italian në Prishtinë, Michael Giffoni, i cili u emërua vitin e kaluar si përfaqësues i BE-së për veriun. Ai do të bashkëpunojë edhe me EULEX-in dhe Komisionin Europian. Shtëpia e BE-së nuk do të përfshijë Zyrën Civile Ndërkombëtare. Giffoni ka thënë në një deklaratë për BBC-në, se misioni i tij nuk ka të bëjë me strategjinë e autoriteteve ndërkombëtare dhe atyre vendore për integrimin e veriut, por ai nuk është në kundërshtim me të.
Zyrtarët europianë kanë thënë se që nga fillimi nuk kanë pasur pengesa nga Beogradi për hapjen e këtij misioni në veri të Mitrovicës, ndërkohë që përfaqësues serbë në këtë pjesë e kanë kundërshtuar atë. Qeveria e Kosovës ndërkaq e ka cilësuar misionin e ri evropian si një mbështetje që i jepet institucioneve vendore për vendosjen e ligjshmërisë në veri.