E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Në Shqipëri nuk ka rënie ekonomike

Ministri i Financave, Ridvan Bode, ka deklaruar se Shqipëria nuk është në krizë ekonomike, pavarësisht pretendimeve të ngritura nga opozita. Duke folur në Kuvend, Bode ka paraqitur vlerësimet e 9 kompanive të ndryshme, mes të cilave BB, FMN, BERZH apo KE, të cilat nuk flasin për rënie ekonomike, madje mesatarisht vlerësimi për Shqipërinë është se ka një rritje në masën 5.7 për qind. "Opozita është e çoroditur, sepse një ditë thotë se ka krizë financiare dhe një ditë tjetër se ka rritje çmimesh. Në botë ka krizë, sepse janë ulur çmimet", sqaroi Bode. Kreu i Financave siguroi se bankat do të vijojnë të mbështesin biznesin me kredi, ndërsa theksoi se ka urdhëruar që çdo biznes, të cilit i lind e drejta dhe është verifikuar për t‘u rimbursuar nga TVSH, do të rimbursohet. Ministrit të Financave, Ridvan Bode, i është përgjigjur deputeti i PS-së, Arben Malaj. Ai ka theksuar se vendi është në krizë dhe vetë fakti që qeveria është fokusuar te spotet e vërteton këtë. "Kryeministri është i çoroditur në të dhënat që jep për rritjen ekonomike. Qeveria është në panik dhe po shpenzon për spote publicitare në prag të fushatës", është shprehur Malaj.

Ish-ministri i Financave në kohën e socialistëve, Malaj, konstaton se ekonomisë shqiptare po i shterojnë burimet e rritjes së saj, ndërsa kërkoi që qeveria të veprojë sa më shpejt për të shmangur krizën. Debati në sallë për krizën ekonomike u krijua nga qëndrimet e kreut të LSI-së, Ilir Meta, i cili kërkoi nga qeveria që të merren masa të menjëhershme për të nxjerrë nga situata e rëndë bizneset fasoniste. Por, sipas Bodes, kriza më së shumti po ndodh në tregjet e huaja, të cilat nga kërkesa e pakët për produkte kanë ndikuar në uljen e eksporteve shqiptare. Prej dy javësh me radhë bizneset në vend kërkojnë nga qeveria që të miratohen disa paketa antikrizë, në mënyrë që të dilet nga situata e rëndë. Të parët ishin ndërtuesit, e më pas prodhuesit e veshjeve, që kërkojnë nga Ministria e Financave disa lehtësi fiskale që lidhen kryesisht me kontributet dhe pagesën e TVSH-së.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›