E Diel, 1 Nëntor 2026

"Malli likuidohet" apo "70% ulje", motoja për të mashtruar qytetarët

Tabelat që shikon në shumicën e vitrinave të të ashtuquajturave "butikë": "Ulje 50, 60, 70%" janë fiktive dhe tallëse për blerësit.

Të gënjejmë sa më shumë. E rëndësishme është të shesim dhe të thithim klientë. Kjo është motoja e shumicës së dyqaneve në Tiranë.

Këto dyqane përfitojnë nga festat për të bërë njoftime të rreme dhe lajmërojnë uljet e çmimeve me arsyen se aktiviteti mbyllet. Këto tabela qëndrojnë të varura me muaj të tërë, ndërkohë që ka edhe nga ato dyqane që i heqin tabelat dhe dyqanet nuk janë mbyllur dhe vazhdojnë normalisht aktivitetin, duke mashtruar kështu konsumatorët.

Ata shkaktojnë nëpërmjet mashtrimit efekte psikologjike te konsumatorët, që mendojnë se përfitojnë vërtet ulje çmimesh.

Në Tiranë gjen dyqane që janë gjithmonë të mbushura me tabela mashtruese që tregojnë skonto. Në të gjitha dyqanet e kryeqytetit gjen të afishuar me shkronja të mëdha "ofertat speciale", të cilat i ftojnë klientët për të blerë sa më shumë dhurata. Por po të futesh brenda këtyre dyqaneve dhe të shikosh me kujdes, rezulton se kjo është vetëm një joshje e rreme sa për t‘i futur klientët brenda. Asgjë nga ato "ulje drastike", apo "blini lirë se malli likuidohet", nuk janë të vërteta. Duket qartë se tabelat "Malli likuidohet" apo "70% ulje" të vendosura në dyert e dyqaneve vetëm "joshin" klientët për të blerë. "Fiks Fare" gjeti në Tiranë edhe dyqane te të cilat gjatë gjithë muajve të vitit gjen të njëjtat tabela, "Malli likuidohet". Kur pyet shitëset se kur do të mbyllet dyqani, të përgjigjen se brenda dy apo tre javëve do të shpërngulen nga ai dyqan. Kjo ndodhi në një dyqan suveniresh në Rrugën e Durrësit, ku për tre muaj rresht kemi parë vetëm tabelën "Malli likuidohet. Dyqani mbyllet". Shitësja na tregoi se në fund të dhjetorit të vitit të kaluar dyqani do të mbyllej, por sot e kësaj dite ai dyqan është i hapur dhe ka të njëjtën tabelë në vitrinë. Kështu që klientët joshen vetëm nga reklamat e bëra dhe ndërkohë gjatë shitjes ka mashtrim, pasi shumica e dyqaneve nuk kanë bërë ulje. Pra, neni 20 i ligjit 9135 dt. 11/09/2003 "Për mbrojtjen e konsumatorëve" e klasifikon këtë mënyrë reklamimi si reklamë mashtruese dhe si e tillë duhet të dënohet në bazë të dispozitave që parashikojnë dispozitat e Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›