Berisha, pro raketave në Shqipëri nëse do Amerika
Kryeqeveritari shqiptar, Sali Berisha, ka pohuar në një prononcim për agjencinë e lajmeve ruse, "Itar-Tass", se Shqipëria do të pranonte ngritjen e një baze raketash nga amerikanët në territorin e saj. Duke shtuar se pala amerikane ende nuk e ka bërë një kërkesë të tillë për qeverinë shqiptare, Kryeministri Berisha ka theksuar se nëse kjo do të ndodhë së shpejti, Shqipëria do ta pranojë ngritjen e një baze raketash. "Shqipëria nuk ka marrë ende ndonjë kërkesë nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por shteti shqiptar shprehet i vendosur që në rast se do të bëhej një e tillë, përgjigjja do të ishte po", tha Berisha. Kreu i qeverisë, Berisha, ka shtuar se "si një vend anëtar i NATO-s dhe si një partner strategjik i SHBA-ve, Shqipëria do t`i përgjigjej pozitivisht kërkesës që do të mund të na bënin amerikanët". Vlen të theksohet se Rusia ka qenë gjithmonë kundër SHBA-ve për sa i përket planit për baza raketore.