E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: NATO, një faqe e re për vendet e A3

Kryediplomati amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, i kërkon qeverisë shqiptare të vazhdojë reformat ekonomike dhe ushtarake pesë javë përpara Samitit të NATO-s. "Anëtarësimi i Shqipërisë do të shënojë një hap të ri, por puna për vendet e A3 nuk ka përfunduar", u shpreh Uidhers. Ambasadori amerikan në Tiranë bëri me dije se faktori ndërkombëtar është në pritje që në Shqipëri të vazhdojnë reformat demokratike, ekonomike dhe ushtarake. "Me zgjerimin e NATO-s, Ballkani do të jetë më i sigurt dhe më i qëndrueshëm", u shpreh ai. Karta e ‘Adriatik 3‘ ka mbledhur dje në Tiranë delegacionet parlamentare të Shqipërisë, Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjës. Në të njëjtin sinkron me fjalimin e shefit të diplomacisë amerikane në Tiranë ka qëndruar edhe sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë parlamentare të NATO-s, David Hobs. "Zgjerimi i NATO-s nuk kërcënon stabilitetin e askujt, por aspirantët për t‘u bërë pjesë e saj duhet të tregojnë arritje dhe jo vetëm aspirata", theksoi Hobs. Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë parlamentare të NATO-s sqaroi për se për të qenë anëtarë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut, "duhet që të tregohet angazhim për t‘i bërë realitet aspiratat".

E djathta dhe e majta "takohen" sërish në një pikë të përbashkët. Kryeministri Berisha e cilëson hyrjen e Shqipërisë në NATO si një motiv që do të garantojë sigurinë dhe lirinë e një vendi, ndërsa kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, kërkoi që politika të lexojë qartë mesazhin e Presidentit Bush.

"Në Samitin e Bukureshtit, duke ju referuar Shqipërisë e Kroacisë që morën ftesën për në NATO, Presidenti Bush tha se këto vende janë gati për të marrë përgjegjësi. Besoj mesazhi është i qartë", u shpreh Leskaj, duke shtuar se opozita nuk është refuzuese, por ofruese në procesin e anëtarësimit të vendit në NATO.

Duke folur për zgjedhjet e 28 qershorit, Kryeministri Berisha kërkoi nga delegacionet parlamentare të pranishme në Kartën e Adriatikut 3, që të sjellin vëzhgues për të monitoruar zgjedhjet.

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nën cilësinë e organizatorit të kësaj konference, tha se "në samitin e NATO-s në prill, jam krejt e sigurt se do të tregojmë se së bashku me amerikanë e evropianë, me vendet e Balltikut të Veriut, me Turqinë e Kanadanë, jemi gati të takohemi me sfidat dhe premtimet e shekullit XXI". Konferenca me temë "Karta e Adriatikut, Integrimi Euro-Atlantik dhe Sfidat e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor", do të vazhdojë edhe sot, dhe tematika e saj është e fokusuar në sigurimin e burimeve për mbrojtje, zbatimin e reformat ushtarake, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, trafikut të armëve, lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore, tregtisë së paligjshme dhe formave të tjera të krimit ndërshtetëror.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›