E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE në krizë financiare, bankat ndryshojnë interesat

 

Në prag të krizës financiare Bashkimi Evropian është zotuar të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar stabilitetin financiar. Disa vende ndryshuan interesat për depozitat bankare.
Në deklaratën e bërë nga Franca, që mban presidencën e BE-së, thuhet se aksionet parashohin lëshimin e parave të gatshme në tregjet financiare, si dhe mbrojtje më të madhe për depozituesit. Deklarata u bë në kohën kur Danimarka, Suedia, Austria dhe Islanda i rritën garancitë shtetërore për depozitat bankare. Masa u mor pas miratimit të një plani financiar të qeverisë gjermane, e cila në përpjekje për të rivendosur besimin në sistemin e trazuar bankar gjerman, njoftoi garanci të pakufizuara për të gjitha kursimet në llogaritë bankare private. Në prag të krizës, kryeministri britanik, Gordon Braun mblodhi kabinetin e tij të “luftës ekonomike” për të parandaluar fenomenin. Gjendja financiare në botë konsiderohet kritike. Shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn tha se nëse ritmi i rënies financiare vazhdon në këtë mënyrë, e ardhmja parashikohet me krizë në rritje dhe uri në Afrikë dhe Amerikën Latine.
Marrëveshje bankare
Banka franceze, “BNP Paribas”, ka rënë dakord të blejë 75 për qind të operacioneve në Belgjikë dhe Luksemburg të grupit financiar “Fortis”. Marrëveshja do të krijojë një prej bankave më të mëdha të kontinentit. Qeveritë e Belgjikës dhe Luksemburgut do të marrin një pjesë të vogël aksionesh në “BNP Paribas”. Qeveria islandeze, thotë se bankat më të mëdha të vendit kanë rënë dakord për masa që kanë si qëllim të stabilizojnë sistemin financiar.
Bien bursat
Tregjet e bursave në botë ranë ndjeshëm dje nga frika e përhapjes së krizës globale financiare. Në Wall Street, indeksi industrial Down Jones ra nën 10 pikë për herë të parë në katër vitet e fundit, ndërsa aksionet evropiane dhe japoneze u mbyllën në nivelin më të ulët në katër vitet e fundit. Tregtimi u pezullua në bursën e Rusisë pasi indeksi i saj humbi 14 % nga vlera. Rëniet e bursave i pasqyrojnë dyshimet se plani amerikan 700 miliardë dollarësh do të mund ta ndalë krizën financiare. Presidenti amerikan, Xhorxh Bush tha në Teksas, se planit të shpëtimit do t’i duhet kohë. “Do të duhet ca kohë për të rikthyer besimin në sistemin financiar. Por ajo që njerëzit mund të jenë të sigurt është se ligji që e nënshkrova është hap i madh përpara drejt zgjidhjes së problemit”, tha Bush.

Gjermani, marrëveshje qeveritare

Ministria gjermane e Financave ka rënë dakord të miratojë një paketë të re shpëtimi për një prej firmave më të mëdha kreditore të vendit, “Hypo Real Estate”, e cila u shpall pranë falimentimit. Marrëveshja, e cila u arrit me bankat private, ka një vlerë prej 70 miliardë dollarësh, 40 për qind më shumë sesa përpjekja e parë për të shpëtuar firmën, e cila u rrëzua ditën e shtunë. Zëdhënësi i Ministrisë gjermane të Financave, Torsten Albig, tha para gazetarëve, se taksapaguesit nuk do të liheshin të paguanin paratë për planin e shpëtimit. “U vendos që industria private financiare do të sigurojë 15 miliardë të tjera, kurse Federata thotë se qëndron tek garancia për 35 miliardë. Kjo është një zgjidhje e mirë, që do të ndihmojë “Hypo Real Estate” dhe nuk do t’i kushtojë taksapaguesve para të tjera”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›