E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohen dhe 6 predha, policia: Braktisin tokat me predha!

 

LUSHNJE - Shtohet paniku i banorëve të fshatit Kashtëbardhë në rrethin e Lushnjës. Pas gjetjes së 18 predhave javën e kaluar, fermerët kanë zbuluar dhe 6 të tjera në tokat e tyre bujqësore. Ato janë të kalibrit 37 dhe sipas banorëve u zbuluan në thellësi të tokës, duke e bërë më alarmante situatën në këtë zonë. “Jemi shokuar nga këto që po shohim. Duket sikur e kemi tokën të mbjellë me predha. Nuk mund të themi që nuk na kanë ardhur në ndihmë organet kompetente. Uniforma të shumta policie kanë bërë edhe pastrimet përkatëse, në një pjesë të mirë të tokave të fshatit, por është e pamundur të hysh në thellësi të tokës. Po plugojmë tokën për ta bërë gati që ta mbjellim me kulturat e stinës, por mjaftoi vetëm shiu i një dite më parë që të nxirrte në sipërfaqe predhat”, shprehen ata. Ndonëse janë gjetur shumë predha të Luftës së Dytë Botërore në këtë zonë, tashmë po rezulton se të tjera janë në thellësi dhe përbëjnë rrezik për banorët. “Jemi në dilemë, të punojmë apo jo tokën. Po t’i lëmë arat djerrë nuk kemi me se të jetojmë, po të punojmë tokën kemi frikë nga predhat”. Kështu është shprehur për gazetën Luan Qaniu, një banor i Kashtëbardhës, i cili ka gjetur edhe predhat ditën e djeshme. Por shqetësimi i banorëve nuk qëndron thjesht në faktin se duhet të lënë pa punuar tokat e tyre. Shefi i komisariatit të Lushnjës, Agron Sulshabanaj ka shkuar në fshat, duke u kërkuar banorëve të zonës të largohen nga pronat e tyre, deri në momentin e pastrimit të tokave ato të lihen pa punuar për të shmangur rreziqet.   m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›