E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ofendime në adresë të Kryeministrit, fillon hetimi

 

TIRANE – Prokuroria e Tiranës fillon hetimet për disa mesazhe ofenduese, që kanë mbërritur kohët e fundit në adresën e Kryeministrit Sali Berisha. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, mësohet se kabineti i kryeministrit ka depozituar pak ditë më parë në këtë institucion, një kallëzim penal pas mesazheve ofenduese që kanë mbërritur në adresën publike të kreut të ekzekutivit të shpallur prej tij. Bëhet fjalë për mesazhe elektronike përmes postës e-mail, të cilat janë dërguar në adresën e kryeministrit e cila është shpallur në faqen zyrtare të qeverisë shqiptare. Persona të caktuar siç duket e kanë gjetur këtë adresë të kryeministrit duke hyrë në faqen zyrtare të qeverisë dhe më pas kanë dërguar aty materiale që janë konsideruar ofenduese. Pasi janë shqyrtuar nga kabineti i qeverisë, mesazhet e tilla janë printuar dhe janë dërguar në Prokurori bashkë me kallëzim penal dhe një kërkesë për nisjen e hetimeve lidhur me këtë çështje. Prokuroria e Tiranës konfirmoi dje se është duke hetuar ofendimet e bëra në adresë të Kryeministrit Berisha, por ende nuk ka arritur të identifikojë autorët e këtyre mesazheve. Identifikimi i tyre bëhet akoma më i vështirë mesa duket për shkak se ata kanë vepruar përmes internetit dhe me identitete të tjetërsuara. Gjithsesi Prokuroria e Tiranës u është drejtuar ekspertëve të kompanive private të internetit, duke kërkuar ndihmën e tyre me qëllim identifikimin e identitetit të personave që kanë dërguar mesazhet ofenduese në adresën e kreut të qeverisë Sali Berisha. Në faqen legale të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, janë publikuar në këndin e informacioneve për Kryeministrin edhe disa adresa e-mail dhe disa numra telefoni, në të cilët qytetarët dhe publiku mund të kontaktojë me kreun e qeverisë. Pikërisht adresa të tilla janë përdorur nga autorët e ofendimeve për të dërguar mesazhe me përmbajtje të tillë për drejtuesin e qeverisë shqiptare. Kjo e fundit ka përzgjedhur mesazhet me përmbajtje ofenduese dhe i ka dërguar ato në Prokurori. Organi i akuzës ka kërkuar ekspertë të cilët do të verifikojnë dialektin dhe mënyrën e artikulimit të mesazheve, me qëllim identifikimin e autorëve të tyre. Nga ana tjetër po kërkohen ekspertë të informatikës për të identifikuar adresat, personat dhe pajisjet e përdorura në dërgimin e mesazheve ofenduese në adresën e Kryeministrit Sali Berisha. Mësohet se gjatë muajve të fundit në adresën publike të kreut të Qeverisë kanë mbërritur mesazhe të tilla të vazhdueshme. Kabineti i Kryeministrit pasi ka marrë dijeni për to është kujdesur t’i administrojë dhe së fundi ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit ka filluar hetimet për akuzën “fyerje për shkak të detyrës”, por autorët e këtij krimi mbeten ende të panjohur për shkak të vështirësive në identifikimin e tyre.   tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›