E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stan Dragoti: Jam në borxh me historinë shqiptare

 

ANILA MEMA

“Vendi i Shqiponjave” e solli sërish në Shqipëri. Ndonëse ardhjet e tij të dy viteve të fundit, kanë qenë të herëpashershme  në këtë vend.
Nuk është vetëm dokumentari, që e solli këto ditë, në Tiranë, regjisorin shqiptaro-amerikan, Stan Dragoti por edhe projektet e tij, të cilat pritet të realizohen së shpejti. Si konsulent në historinë e Shqipërisë së shekullit XX, Dragoti ka punuar për shumë vite. “Ishte surprizë për mua të shihja finalizimin, kishte kaq shumë fuqi që askush nuk e kishte parë më parë brenda Shqipërisë”, tregon regjisori, në një rrëfim për gazetën “Panorama”. “Koha bën që njerëzit të harrojnë që gjeneratat vazhdojnë. Unë do t’i jepja një duartrokitje Donikës dhe Fatmirit, të cilët për shtatë vjet kanë korrektuar dhe mbikorrektuar tekste nga shumë njerëz, nga shumë versione të historisë dhe sigurisht që nuk mund t’i kënaqësh të gjithë. Unë isha shumë i kënaqur kur e pashë përfundimin”, shton regjisori, në praninë edhe të bashkëproducentëve të kompanisë së tij “DBJ”. Për të, Shqipëria në 100 vite ka evoluar dhe këtu kujton prindërit e tij, të dy shqiptarë, me origjinë nga Dragoti i Tepelenës, fshatit që vizitoi 12 vjet më parë, me helikopter. Thotë se do të do të shkoj sërish, në një kohë të dytë, të përshtatshme, i pëlqen ai vend dhe di edhe disa vargje këngësh të vjetra nga ai vend. “Babai im ishte i lidhur me Fan Nolin, ai nuk fliste shumë për çështjet politike në Shqipëri nuk i interesonin, pasi nëna ime i thoshte gjithmonë, mjaft me këto. Dua të them se jam në borxh me historinë shqiptare dhe çdokush do të ishte sepse është një histori shumë e madhërishme dhe është dramatike”, shton Dragoti.
Projektet shqiptare
Në duar ka shumë projekte shqiptare. Disa filma që pret të realizojë së shpejti. Njëri që flet kryesisht për një familje çifute të strehuar në Shqipëri që i shpëtoi gjermanëve, një tjetër për Skënderbeun si karakter, kush ishte, çfarë mendonte dhe pse e la Turqinë dhe projekti po kaq i rëndësishëm, një film për marrëdhëniet e Enver Hoxhës me agjentin shqiptaro-amerikan Tom Stefan dhe se si amerikanët e këshilluan agjentin e tyre që të vriste Hoxhën, gjë që s’ndodhi asnjëherë. Ky i fundit është bazuar mbi librin e Peter Lukas, “Zyra e Shërbimeve Strategjike gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri”. “Asgjë nuk ndodh me shpejtësi, filmi nuk është një proces i shpejtë. Por besoj se gjërat do të ndodhin, ne po punojmë mbi Shqipërinë. Kemi procese në duar dhe them se gjërat do të ecin, por do të na duhet ende kohë pasi ne shkruajmë dhe më pas rishkruajmë”, tregon ai për gazetën. Sipas tij, të gjitha këto projekte kanë një histori të vërtetë ku bazohen e ky i fundit sipas tij, është një histori e mrekullueshme për film. “Filmi për hebrenjtë është një histori tepër frymëzuese. Në film ju nuk do të shikoni asnjë skenë nga Holokausti, por aty flitet për një familje që vjen nga Hamburgu, u shpëton nazistëve, vjen në Shqipëri, ku pritet ngrohtë dhe integrohet në jetën shqiptare. Tregohet se si pastaj vijnë gjermanët, por ata nuk mundën t’i zbulojnë dot, sepse shqiptarët u kishin vënë hebrenjve emra myslimanë. Është një histori e fuqishme”, shton regjisori.
Portreti i Skënderbeut
Nuk ka menduar një Skënderbe në fushëbetejë, as bëmat e tij otomane, por një Skënderbe portret, një karakter të tij, një personazh. “Është një film që ne do ta bëjmë në mënyrë paksa të ndryshme. Unë nuk mund të bëj një film si “Brave heart”, për të cilin u deshën 60-70 milionë dollarë. Nuk kam dëshirë të bëj një film me shpata e mburoja. Askush deri më sot nuk ka pasqyruar në një film se cili ishte Skënderbeu, çfarë mendonte ai në kokën e tij, cilat ishin shqetësimet e tij dhe ç’e shtyu të vinte nga Turqia, ku u rrit si figurë ushtarake e të kthehej në vendlindje, duke e ditur se ata do të hakmerreshin me të gjithë forcën kundër tij. Dhe ata vërtet erdhën por ai i mundi ata. Është historia e dikujt që lufton me fatin, lufton kundër atyre që dikur kishin qenë miqtë dhe mësuesit e tij”, tregon shqiptaro-amerikani. Sipas tij këto ditë falë Donika Bardhës, ka mundur të takojë dikë që e ka ndihmuar për disa pjesë, në të cilat flitet për karakterin e heroit kombëtar. “Ky zotëri më ndihmoi me disa materiale, në të cilat karakteri i Skënderbeut ishte dramatizuar dhe ne këtu do të bazohemi, sepse sado beteja që të realizojmë dhe sado spektakolare t’i bëjmë ato dihen dhe veç kësaj edhe do të kushtojë shumë. Ne duam të bëjmë një histori mbi njeriun”, thotë Dragoti, i cili do të qëndrojë në Shqipëri edhe pak ditë.   

Imazhi i Kosovës
Nëse vite më parë bëri emër në Amerikë, për realizimin e reklamës së suksesshme “I love New York”, pak kohë më parë ndodhej në Kosovë për të njëjtën gjë, imazhin e saj. “Kam punuar për një fushatë imazhi të Kosovës dhe ata u dukën shumë të kënaqur me atë që panë. Kur unë nisa fushatën në Kosovë dhe pashë se shqiptarët vriteshin në atë mënyrë u shqetësova shumë. Kam marrë shumë telefonata dhe kam komunikuar me miq, që fushata jonë të realizohej siç duhej dhe kemi përdorur Hitlerin me Millosheviçin, por ata menduan se ishte shumë politike. U çudita se çështja ishte shumë specifike”, thotë ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›