Jeremiç: Shtete të fuqishme na pengojnë
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç tha se: “Shtete të fuqishme dhe me ndikim” po përpiqen ta pengojnë draftrezolutën në Kombet e Bashkuara, e cila synon të sfidojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. “Ne do të bëjmë çmos që të fitojmë shumicën për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e Kosovës”, tha Jeremiç për mediat serbe. “Po bëhet gjithçka për ta penguar Serbinë në këtë votim, për të krijuar atmosferë të pafavorshme që të mbështetet rezoluta e propozuar nga Beogradi. Kosova kurrë nuk do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara”, tha ai. Ndërkohë
Jeremiç komentoi se, njohja e Kosovës nga Mali i Zi do të përjetohej si thikë prapa shpine jo vetëm ndaj Serbisë, por edhe ndaj përpjekjeve diplomatike për zgjidhjen e statusit të ardhshëm të Kosovës. Pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Estonisë, Urmas Paeta, Jeremiç tha se: “Serbia sigurisht që nuk do të rrijë duarkryq”m nëse Podgorica e njeh Kosovën. “Kjo nuk mund të jetë pa pasoja, sidomos në këtë kohë. Ne nuk duam t’i dërgojmë kurrfarë kërcënimi askujt, ndonëse të gjithë në rajon e dinë ç’do thotë kjo. Qeveria malazeze është e vetëdijshme”, tha ai. Jeremiç shtoi se Beogradi ua ka bërë të qartë zyrtarëve malazezë, se nuk do të ketë kurrfarë mirëkuptimi për vendimin e Podgoricës që, siç tha, me njohjen e Kosovës të cenojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë.