Ende në kërkim trupi i 8-vjeçares së mbytur
Ditën e djeshme në fshatin Grekan është varrosur gruaja 45-vjeçare. Kryefamiljari është kthyer nga Greqia
ELBASAN - Ndërsa trupi i vajzës 8-vjeçare vijon të jetë në kërkim, në fshatin Grekan, ku banon familja Çapja, u zhvillua varrimi i gruas së mbytur dy ditë më parë në ujërat e lumit Devoll. Rreth orës 14:00 familjarë e të afërm, politikanë, banorë të fshatrave përreth kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore.
Tasimi, bashkëshorti i gruas dhe babai i fëmijës së mbytur, e ka mësuar lajmin e kobshëm teksa ishte në Greqi. Ai ka udhëtuar me orë të tëra për të mbërritur në shtëpi, për të qenë i pranishëm të paktën në funeralin e gruas. Mjaft i tronditur ai ka derdhur vetëm lotë, i dërrmuar nga kjo tragjedi e dyfishtë. I vetmi ngushëllim është djali 4-vjeçar, i mbetur gjallë mrekullisht pasi uji i rrëmbeu nënën dhe motrën.
Familja ka falënderuar ndërhyrjen e shtetit me anë të polumbarëve të RENEA-s dhe kërkimeve të vazhdueshme për të gjetur Xhorxhinën, që u mbyt në Devoll teksa po kalonte lumin me nënën e saj, për të shkuar tek gjyshja në Mollas.
Xhaxhai i fëmijës thotë se kjo fatkeqësi e madhe që iu ka rënë është trefishuar me mosgjetjen e trupit të vajzës së vogël. "Falënderojmë policinë dhe polumbarët që nuk po ndalen, por kanë dy ditë që kërkojnë.
Duam që ta gjejmë sa më shpejt dhe t'i japim një varr, të paktën. Dera jonë po rri e hapur për mort. Kjo që na ndodhi është fatkeqësia më e rëndë". Këto janë pak fjalë nga familja Çapja në Grekani goditur mjaft nga kjo ngjarje Tasimi pret ngushëllimet e të gjithë pjesëmarrësve nga tri fshatra dhe të afërm nga të gjitha anët.
Kryetari i komunës, Qemal Rama, e ka quajtur tragjedinë më të rëndë që ka ndodhur në komunën e tij. Ai thotë se kjo është një fatkeqësi e madhe dhe nuk duhet përdorur politikisht. Ura që mund të zgjidhë problemin më të madh të kësaj zone zgjat rreth 500 metra dhe ka një kosto tepër të madhe.
Deri tani asnjë buxhet nuk e ka marrë përsipër ndërtimin e saj. Edhe në ditën e varrimit të gruas banorët kanë vazhduar të kalojnë në këmbë dhe në karrocë përmes ujit të Devollit për të dalë në anën tjetër. Domosdoshmëria i bën këta njerëz të rrezikojnë jetën në pritje që dikush të kujtohet për ta.
Zhvendosen kërkimet për trupin e 8-vjeçares
Burime nga policia bëjnë të ditur se uji i rrëmbyeshëm ka bërë që polumbarët të vazhdojnë kërkimet në një rreze prej 12 kilometrash nga vendi ku ka ndodhur ngjarja. Deri mbrëmjen e së hënës nga kërkimet nuk ka rezultuar asgjë.
Kërkimet sipas drejtuesve të policisë do të vazhdojnë deri në gjetjen e trupit të së miturës. Mendohet se për shkak të ujit të rrëmbyeshëm kufoma të ketë shkuar disa kilometra larg nga vendi i ngjarjes dhe spostimi i polumbarëve është bërë pas kërkimeve në segmente të vazhdueshme deri në Kuçovë.