BE nis qetësisht misionin të shtunën
• Bashkimi Evropian do të miratojë sot dokumentin e fundit mbi misionin në Kosovë, i cili do të përfshijë rreth 1 800 trupa policore dhe gjyqësore, dhe pritet të nisë qetësisht zbarkimin të shtunën, më 16 shkurt.bledar hotiDiplomatë nga Bashkimi Evropian kanë konfirmuar se blloku i 27 vendeve të unionit nisi që të mërkurën procedurat e shkruara për të formalizuar misionin. Ky proces do të vazhdojë deri sonte në mbrëmje. Procesi është përshpejtuar pasi pritet që të dielën, më 17 shkurt, Kosova të shpallë pavarësinë. Disa vende të BE-së kanë kërkuar që misioni të aprovohet para aktit të shpalljes së pavarësisë, pasi ata mendojnë se dërgimi i misionit pas kësaj do të ngatërrohet me procesin e njohjes së pavarësisë. Javën e kaluar, BE aprovoi një plan të përbashkët veprimi, i cili përfundoi 90 për qind të punës përgatitore. Diplomatët argumentojnë se ky mision ligjërisht bazohet në Rezolutën aktuale të Këshillit të Sigurimit 1244, e njëjta e aprovuar për misionin e UNMIK-ut që në vitin 1999. “Shpresojmë që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun ta mbështesë këtë mision”, tha një diplomat Evropian për “EUbussiness”. Megjithatë ai shtoi se ka rrezik që shanset për këtë të jenë të pakta pasi OKB do të jetë nën presionin e Rusisë në Këshillin e Sigurimit, e cila e konsideron si ilegal këtë mision. Ambasadori rus në BE, Vladimir Chizhov, deklaroi dje se ishte i sigurt që OKB nuk do të miratonte ligjërisht misionin e BE-së. Diplomatë evropianë theksojnë se ka argumente që e mbështesin misionin e BE-së në ligjet ndërkombëtare. Misioni i BE-së pritet të marrë përsipër disa nga detyrat e OKB-së me qëllim për të forcuar stabilitetin në Kosovë dhe të sigurojnë se e ardhmja do të jetë në përputhje me standardet demokratike.Shteti i ri “Të dielën Evropa do të ketë një shtet të ri - Kosovën, dhe kjo i jep fund 17 viteve të përgjakshme të luftërave në ish-Jugosllavi. Ky është një rast për të festuar”, shkruan gazeta “New York Times”. Sipas vlerësimit të saj, pavarësia e Kosovës është e justifikuar, unike në llojin e vet dhe e pashmangshme dhe nuk ka rrugë tjetër, ndërsa konstaton se Serbia e humbi lojën e nacionalizmit në Kosovë shumë kohë më parë. Nga burimet e saj gazeta thekson se në fillim të javës tjetër, fuqitë e mëdha, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Francën, Britaninë dhe Gjermaninë do ta njohin shtetin e ri. Një shumicë e qartë e 27 vendeve anëtare të BE-së pritet ta njohin shpejt Kosovën e pavarur. Disa nga vendet e BE-së janë dyshuese për shtetin e ri. “Nëse BE-ja do fliste me një zë, do të ishte diçka e këndshme, por mbështetja në shkallë të gjerë është e mjaftueshme për Kosovën e pavarur. Kjo i dedikohet punës së ambasadorit gjerman në Britani, Volfgang Ishinger. Ajo që është më e rëndësishmja, është se BE-ja dhe SHBA-të do ecin me një hap, çfarë nuk ka ndodhur shpesh kohëve të fundit”, shkruan “New York Times”.Përgatitjet e funditEdhe pse data nuk është konfirmuar zyrtarisht, institucionet e Kosovës dhe organizatat e ndryshme po bëjnë përgatitjet e fundit për festimin dinjitoz të kësaj dite historike për Kosovën. Galeria e Arteve të Kosovës ka bërë publik programin 72 orësh, në të cilin do të paraqiten rreth 100 filma dokumentarë mbi paqen realizuar nga artistë të rajonit dhe Evropës. Gjithashtu një pikturë me sipërfaqe afro 70 metra katrorë, do të realizohet nga studentët e Fakultetit të Arteve ku do të pasqyrohet në pëlhurë historia e popullit të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka ndarë nga buxheti i saj 1 milion euro për ditën e pavarësisë të cilat do të shfrytëzohen për mbulimin e ceremonive festive. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ditën e premte të dalin të gjithë në pastrimin e mjedisit. Thaçi në krye të komisionit për krizën energjetike Qeveria e Kosovës e shpalli “Krizë nacionale energjetike” gjendjen e energjisë në vend. Një ditë pasi kryeministri i Kosovës e vlerësoi si sabotazh punën e KEK-ut në Kosovë, ai vendosi të kryesojë një grup që do të marrë përsipër zgjidhjen e krizës energjetike në vend. KEK ka deklaruar se nuk merr përsipër furnizimin e plotë me energji as ditën e pavarësisë. “Gjendja në KEK është e keqe, vërehen edhe lëshime shumë të rënda. Respekt për punën e punëtorëve në KEK. Por ka ikur koha 8-vjeçare e menaxhimit emergjent për përfitime personale”, tha Thaçi.Maqedonia ngre shkallën e gatishmërisëNë prag të pavarësisë së Kosovës, Maqedonia, fqinje e afërt me të, ka ngritur shkallën e gatishmërisë. Përreth kufirit me Kosovën dhe Serbinë është shtuar prania e forcave ushtarake dhe policore. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të këtij vendi thonë se për momentin gjendja atje është e qëndrueshme dhe se do të reagojnë menjëherë në rast të paraqitjes eventuale të ndonjë grupi të armatosur. Shkupi zyrtar ka siguruar autoritetet kosovare se në rast të një bllokade ekonomike nga Serbia, Maqedonia do të angazhohet me të gjitha forcat që Kosova të mund ta përballojë këtë situatë.Torta e pavarësisë Një tortë e madhe që po përgatitet nga “Felini” në formën e hartës së Kosovës e gjerë pesë metra në të dy anët me sipërfaqe të përgjithshme prej 25 metra katrorë është e veçanta e festimit të pavarësisë. Kjo tortë që do të peshojë 500 kilogram do të jetë njëra nga ëmbëlsirat që qytetarët e Kosovës do ta shijojnë gjatë kremtes së pavarësisë. Torta do të jetë e dekoruar në anë me pëllumba dhe fishekzjarrë. Qytetari i parë i Kosovës që do të inaugurojë këtë tortë është vendosur tashmë, ai është kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. KFOR-UNMIK nuk presin dhunë në vendKFOR, UNMIK dhe qeveria e Kosovës nuk presin destabilizim të situatës në vend gjatë dhe pas shpalljes së pavarësisë, por kërkojnë dinjitet dhe qetësi. Kështu u tha pas takimit trepalësh mes kryeministrit Hashim Thaçi, shefit të UNMIK-ut Joakim Ryker dhe komandantit të KFOR-it, Ksavier de Marnak. Gjenerali De Marnak tha se ushtarët e tij janë në gjendje të ndërhyjnë në çfarëdo situate, megjithëse nuk ka ndonjë indikacion se diçka mund të ndodhë.