E Diel, 1 Nëntor 2026

OKB shmang vendimin: S’ka ende deklaratë pavarësie

• Serbia e ezauroi edhe përpjekjen e fundit diplomatike në Këshillin e Sigurimit, ku me kërkesë të saj dhe të Rusisë u organizua një seancë e jashtëzakonshme me dyer të mbyllura për të refuzuar shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen e saj.Në takim ishte i pranishëm ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç. Në një njoftim të Këshillit të Sigurimit thuhet se Serbia pritet të shprehë shqetësimet e saj lidhur me synimin e Kosovës për të shpallur në mënyrë të njëanshme pavarësinë. Ndërsa Rusia ka mundësi që të përsërisë pikëpamjen e saj se shpallja e njëanshme e pavarësisë nga ana e Kosovës, do të ishte shkelje e rezolutës 1244. Këshilli i Sigurimit ka njoftuar se si Rusia, ashtu edhe Serbia pritet të vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e misionit të ri të Bashkimit Evropian që pritet të vendoset në Kosovë. Në njoftimin e Këshillit të Sigurimit thuhet se një nga çështjet që shtrohen është se si të trajtohet çdo lloj kërkese e Serbisë për veprim nga ana e Këshillit, ndërsa pavarësia nuk është shpallur ende. Çështje të tjera që përmenden janë nëse duhet të ketë një rezolutë tjetër për të zëvendësuar 1244-ën, e ardhmja e misionit të UNMIK-ut dhe rreziku për dhunë të mundshme pas shpalljes së pavarësisë dhe nëse duhet bërë më shumë për t’u përgatitur për një mundësi të tillë. Në njoftim thuhet se alternativa më e mundshme për momentin, është që të dëgjojë Serbinë dhe anëtarë të tjerë të Këshillit, por të presë për zhvillime të mëtejshme para se të diskutojë hapat e mëtejshme të mundshme.Reagimi i Kosovës    Sipas politikanëve në Kosovë, mbledhja e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara nuk është tjetër veçse një përsëritje e një mori seancash të mbajtura vitin e kaluar, të cilat kanë përfunduar pa asnjë rezultat në raport me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se çështja e Kosovës tashmë ka dalë nga ndërtesa e Këshillit të Sigurimit dhe rrjedhimisht mbledhja e sotme nuk do të ndikojë në vendimin e institucioneve të Kosovës për të shpallë pavarësinë. Mbledhja e Këshillit të Sigurimit u kërkua nga Serbia dhe Rusia. Ambasadori i Panamasë Ricardo Alberto Arias, kryesues i këshillit, ka thënë se ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç do të ftohet të marrë pjesë në mbledhje me kërkesë të tij. Në anën tjetër, në takim nuk do të marrë pjesë shefi i UNMIK-ut Joakim Ryker e as ndonjë përfaqësues tjetër nga administrata e OKB-së, apo nga institucionet e Kosovës. Putin: Turp kush njeh Kosovën Presidenti rus, Vladimir Putin tha se njohja e deklaratës së pavarësisë të njëanshme të Kosovës do të ishte imorale dhe ilegale dhe se vendeve Evropiane duhet t’u vijë turp për standardet e dyfishta. “Edhe një herë do të theksoj se e konsideroj mbështetjen e pavarësisë së njëanshme të Kosovës akt imoral dhe ilegal”, tha Putin një konferencën vjetore në Kremlin, e fundit për të në postin e presidentit. “Nuk dua të them asgjë që mund të fyejë ndokënd, por ka 40 vjet që Qiproja veriore praktikisht ka shpallur pavarësinë. Pse nuk e njihni këtë rajon? A nuk ju vjen turp Evropianë, që praktikoni standarde të dyfishta?”, tha presidenti rus, ndërkohë që shprehu kërcënimin se Rusia do të ketë në shënjestër të gjitha vendet që bëhen bujtëse të sistemit të mbrojtjes raketore amerikane dhe shfaqi gatishmërinë të jetë kryeministër i Rusisë pas mandatit si president.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›