E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi çorienton deputetët

• Duhet të jenë njerëz më të ditur, por ja që nuk janë të tillë të gjithë deputetët e Kuvendit, të cilët janë vënë përpara provës së vështirësisë së përdorimit të teknikës së re të votimit.BLEDAR HOTITë habitur nga festa e të dashuruarve, 14 shkurtit, deputetët kanë "mbetur në klasë" gjatë përdorimit të teknikës së re të votimit, që për Topallin është fjala e fundit e shkencës, e njëjtë me atë të Parlamentit Evropian. Aparatura e re e votimit në Kuvend ka nxjerrë bllof pjesën më të madhe të deputetëve. Gjatë hapjes së procesit pjesa më e madhe e tyre nuk ka ditur se si të votojë. "Ju lutem votoni për prezencën, hapim votimin kush është prezent", iu drejtua Topalli, deputetëve, ndërsa këta të fundit bënë habinë e madhe të radhës. Në ekranin e madh ku janë rreshtuar emrat, sipas rendit alfabetik e të zgjedhurve të popullit, në krah të tyre u shfaq ngjyra portokalli, e cila korrespondon me votën abstenuese të tyre. Një votë e tillë që tregon se deputeti është në mëdyshje as pro dhe kundër një votimi të një ligji, por që nuk mund të përdoret në votimin kur bëhet prezenca në sallë. "Pavarësisht se votuat gabim, unë do e marr të mirëqenë votën tuaj për prezencën në sallë", iu drejtua Topalli. Kryeparlamentarja ftonte deputetët të votojnë, por një pjesë e tyre kishin mbetur të bllokuar, pasi nuk dinin se si të votonin. Kështu deputeti i PD-së, Safet Sula, është ngritur nga karrigia për të ndihmuar kolegun e tij Xhomara, duke futur vetë dorën në vendin ku ndodhen tre butonat, që konsistojnë në opsionet pro, kundër dhe abstenim. Ndërsa Topalli nga harresa, ose nga forca e zakonit në përfundim ka shtuar numrin edhe të ministrave që ishin ulur në panelin kryesor, në një kohë që aktualisht kishin votuar me elektronikë. "Më falni harrova, kujtova se jemi me sistemin e vjetër të votimit", iu drejtuar Topalli pas reagimit që bënë deputetët për këtë ngatërresë. Më pas, Topalli ka marrë rolin e instruktores, duke i mësuar deputetët se si të votonin. "Ju mos shihni nga tabela se si keni votuar, por shihni në ekranin e vogël tek aparatura mënyrën se si ju keni votuar", ka deklaruar Topalli. Kryeparlamentarja në të njëjtën kohë kontestonte edhe votat kundër të deputetëve të partisë së saj dhe të opozitës, kur bëhej fjalë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në procesin e votimit dhe ministri i Ekonomisë, Ruli, votoi kundër një marrëveshjeje, por në mënyrë të menjëhershme e ndryshoi votën e tij. "Votoni zoti Tola, zoti Sula, Kaleci", shprehej Topalli, duke nënkuptuar se kishin votuar gabim. Kaq ka mjaftuar që ngatërresa në votimin e projektligjeve të shkonte në një lëmsh të vërtetë dhe në situata humori ndërmjet deputetëve. Të zgjedhurit e popullit janë habitur nga zhurma akustike që jepej në çdo mbyllje apo hapje votimi, e cila ishte e njëjtë si krisma e një çange. Ata janë mërzitur nga kjo zhurmë, duke iu kërkuar kryetares së tyre që ta ndryshojnë këtë sinjal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›