SHBA, thirrje Serbisë të pranojë pavarësinë
• Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, i bëri thirrje autoriteteve serbe ta pranojnë zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe të vazhdojnë rrugën drejt integrimit më të plotë me Evropën.Rajs e këshilloi Serbinë ta pranojë realitetin e krijuar dhe të shikojë përpara. Në një deklaratë para Komisionit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, Rajs tha se Serbinë e pret integrimi më i plotë me Evropën, sapo çështja e Kosovës të jetë zgjidhur, një proces që ajo e pranoi se nuk do të jetë i lehtë për Beogradin. “E di që kjo do të jetë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për popullin serb. Dhe SHBA do të shtrijë dorën e miqësisë, duke thënë se statusi i Kosovës dhe zgjidhja e tij do t’i hapin rrugën Serbisë që të shohë përpara dhe të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm”, tha Rajs. Sipas saj, administrata e Presidentit Bush ka mbajtur dy takime të nivelit të lartë për Kosovën në dy ditët e fundit dhe ka zhvilluar bisedime intensive me aleatët evropianë për realizimin sa më pa probleme të kalimit tek pavarësia e mbikëqyrur. Rajs shtoi se kishte ndërhyrë personalisht tek zyrtarët e NATO-s për t’i ofruar Serbisë anëtarësinë në Partneritetin për Paqen, edhe pse ende nuk janë dorëzuar disa nga figurat kryesore të serbëve të Bosnjës që kanë kryer krime lufte.