E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia me trupa të armatosura në Mitrovicë

• Qeveria serbe ka vendosur të anulojë deklaratën e njëanshme të pavarësisë së Kosovës para shpalljes së saj. Iniciativa e formuluar disa ditë më parë u miratua dje.Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës “Express”, menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë do të mbyllet nga forcat e Ministrisë së Brendshme serbe. Kjo është një pjesë e planit serb të veprimit pas shpalljes së pavarësisë. Të dërguarit nga ministria serbe do të jenë të gjithë në gjendje gatishmërie dhe të armatosur dhe të tjerë do të armatosen në ditët që do të vijnë. Kryetarët e komunave me shumicë serbe në Mitrovicë do të takohen sot dhe do të formojnë një këshill i cili do të udhëhiqet nga një i dërguar i Beogradit. Plani serb do të zbatohet më pas në të gjithë enklavat serbe një ditë pas shpalljes së pavarësisë. Në burimin e “Express” thuhet se presidenti Boris Tadiç u ka bërë thirrje serbëve në SHPK të mos i heqin uniformat dhe të presin urdhra nga Grupi Koordinues që do të formohet sot. Sa për njoftimin zyrtar kundër pavarësisë: “Kjo deklaratë anulon aktin dhe veprimet e qeverisë së përkohshme të Kosovës për shpalljen e pavarësisë, sepse shkel sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë”, thuhet në komunikatën zyrtare. Zyrtarët e qeverisë serbe e miratuan dje dokumentin ku pavarësia e Kosovës konsiderohet një akt ilegal për formimin e një shteti fals, i cili nuk do të njihet kurrë nga Serbia. Deklarata e përbashkët u bë nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm serb pak ditë para shpalljes së pavarësisë nga liderët kosovarë. “Për ne, çdo formë e deklaratës së pavarësisë është ilegale”, tha ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç duke shtuar se “për këtë një vendim i tillë do të konsiderohet i pavlerë dhe do anulohet”. Edhe pse pavarësia pritet të njihet nga SHBA dhe BE, Jeremiç tha se Serbia nuk do ta njohë kurrë atë sepse Kosova do të mbetet një provincë serbe. “Unë kurrë nuk do të kem kontakt me institucione ilegale të asnjë shteti të deklaruar ilegalisht të tillë, si i ashtuquajturi shtet i Kosovës”, tha Jeremiç. Edhe kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, tha gjithashtu se Kosova e pavarur do të ishte një shtet fals në territorin serb dhe Serbia nuk duhet të pritet të braktisë asnjë pjesë të territorit të saj. “Fyerja më madhe për Serbinë do të ishte të jepte miratimin edhe në mënyrë jo të drejtpërdrejtë mbi ekzistencën e kësaj krijese kukull në territorin e saj”, tha Koshtunica në faqen zyrtare të qeverisë, duke shtuar se “Kosova i përket vetëm dhe vetëm Serbisë. Eshtë e jona dhe ne nuk do ta japim kurrë atë”, përfundoi Koshtunica.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›