Meta akuzon për pakte të fshehta mes dy partive
Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dje dyshuese ndaj nismës ligjore të dy partive të mëdha për të ndryshuar Kushtetutën për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë. Kreu i kësaj partie sqaroi se LSI-ja mbështet kufizimin e imunitetit, por mënyra që është zgjedhur për të luftuar korrupsionin nuk është e pastër. Nisur nga kjo, kreu i LSI-së hodhi dyshime se paketa e re për ndryshime në Kushtetutë nuk përmban vetëm atë që lidhet me imunitetin, por edhe për çështje të tjera. Pa sqaruar konkretisht se çfarë është ajo që dyshon, kreu i LSI-së tha se “ne shprehim rezervat tona për synimet reale të kësaj iniciative, sepse jemi të bindur se janë njëqind arsye, faktorë dhe argumente që na i forcojnë bindjet tona që iniciativa të tilla nuk synojnë luftën kundër korrupsionit në Shqipëri”. Më herët, gjatë një takimi në Ballsh me strukturat e kësaj partie, kreu i LSI-së është shprehur se Kushtetuta mund të pësojë ndryshime të reja që lidhen me interesat e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama. Këtu ai përmendi një ndryshim të mundshëm të Kushtetutës për të bërë që edhe krerët e bashkive mund të bëhen deputetë. “Ne nuk e kuptojmë përse çështja e imunitetit nuk u diskutua në 21 prill, por ridiskutohet përsëri. Jam i bindur se përgatiten edhe ndryshime të tjera kushtetuese, të cilat në fakt, nuk bëhen dhe nuk synojnë as të ndihmojnë në luftën kundër krimit dhe kundër korrupsionit, por me sa duket dëshirojnë t'u mësojnë shqiptarëve faktin se Kushtetuta në këtë vend nuk ka vlerë, nuk ka rëndësi dhe se këtu duhet të sundojë arbitrariteti dhe "uni" i atij që ka të gjitha pushtetet e vendit në një dorë të vetme apo të përqendruar”, - tha Meta. Pak ditë pas protestës së opozitës, në një takim me simpatizantë të LSI-së, Meta ka hedhur dyshime se mund të ndryshojë Kushtetuta dhe njëkohësisht të sanksionet në Kodin Zgjedhor që krerëve të bashkive t’u lejohet kandidimi për deputetë. “Nëse Edi Rama quan reformë me Sali Berishën që të ndryshojnë Kushtetutën dhe Kodin, e ta vënë që kryetarët e bashkive mund të jenë dhe deputetë, në mënyrë që ai në 2009-ën të jetë deputet dhe kryetar bashkie, meqenëse mandati i mbaron në 2011-ën dhe Sali Berisha të rrijë dhe katër vjet të tjera Kryeministër, sigurisht që këtë lloj pseudoreforme ne socialistët dhe progresistët e vërtetë e quajmë tradhti dhe nuk do ta tolerojmë”, - tha kryetari i LSI-së. Pavarësisht dyshimeve të shprehura, vota e LSI-së për hartimin e një drafti të ri për kufizimin e imunitetit ishte pro dje në konferencën e kryetarëve.