Gjinushi, kundër Ramës: Të mos ndryshohet Kushtetuta
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, u shpreh dje kundër çdo iniciative për të ndryshuar Kushtetutën. Gjinushi arsyetoi se është eksperimentuar dy herë që të ndryshohet Kushtetuta dhe dy rastet nuk kanë rezultuar pozitive. “Ka tre vjet që hiqet sikur e pengojnë imunitetet në luftën kundër korrupsionit, kur ai ka të gjitha votat e mjaftueshme për të hedhur imunitetin. Tashmë tërë opinioni është bindur se nuk është imuniteti juridik që pengon, por janë imunitetet politike që u jepen dhe trafikantëve, si Fazlliç, nga qeveria aktuale, që u jepen ministrave të veçantë apo drejtorëve të përgjithshëm që akuzohen për rrëmbim personi”, - tha Gjinushi. Nga ana tjetër, ai vlerësoi se loja me imunitetet është një lojë e një regjimi, të një shumice të korruptuar e cila do të krijojë vetëm alibi, do të bëjë demagogji për të krijuar idenë se është Kuvendi mbrojtës i korrupsionit dhe është qeveria që lufton korrupsionin kur sot të gjithë janë bindur se e vetmja gjë që duhet të ndryshojë është largimi i kësaj qeverie. “Loja e imunitetit është lojë e dështuar. Kufizimet mund të bëhen vetëm në kuadër të një reforme konstruktive dhe të plotë dhe që nuk do të godasë institucionet. Këtë mund ta bëjë vetëm një mazhorancë e shëndoshë në bashkëpunim me një opozitë reale pas zgjedhjeve të 2009-ës”, - tha Gjinushi.