E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-ja kërkon konsultime për ligjin e ri të medias

OSBE-ja kërkon më shumë konsultime për hartimin e projektligjit të medias në Shqipëri. Miklos Harasti, përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias,

mirëpriti vendimin e autoriteteve shqiptare për të shtyrë miratimin e ligjit të ri për

Radion dhe Televizionin, si dhe i kërkoi qeverisë të bëjë të mundur konsultime të gjera e transparente me të gjithë aktorët kryesorë. “Përvoja ndërkombëtare tregon që regjimet e reja për lirinë e medias e përmbushin më mirë qëllimin e tyre, nëse më parë diskutohen dhe, nëse është e mundur, pranohen plotësisht nga të gjithë partnerët politikë relevantë dhe nga shoqëria civile”, - shkruan ai, në një letër drejtuar autoriteteve vendimmarrëse shqiptare. Projektligji i ri u hartua nga Komisioni kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në muajin korrik. Ai synon të bashkojë në një ligjet ekzistuese për Radion dhe Televizionin publik dhe privat dhe atë për Transmetimet Numerike. “Mirëpres faktin që kryetarja e Kuvendit dhe Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik shtynë miratimin e ligjit dhe bënë thirrje për konsultime të mëtejshme”, - tha Haraszti. Sipas tij, “drafti nuk siguron pavarësinë e Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit, si dhe të Radiotelevizionit Shqiptar. Gjithashtu, ai nuk zgjidh problemet që ekzistojnë në ligjin aktual, të cilat janë vënë në pah në rekomandimet e mëparshme të zyrës sime, si dhe nga organizata të tjera ndërkombëtare. Këto probleme kanë mbetur të pandryshuara në projektligjin e ri. Si pasojë, ky projektligj nuk përmbush rekomandimet përkatëse të OSBE-së”. Po ashtu, Haraszti kërkoi nga aktorët përgjegjës të rinisin punën për hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për televizionin dixhital, në këshillim dhe bashkëpunim, duke përfshirë në këtë proces edhe mediat dhe shoqatat e mediave. “Tani Shqipëria ka mundësinë të përmirësojë defektet në rregullimin e mediave dhe të mos i mbartë ato në tablonë e re të medias dixhitale”, - shtoi Haraszti. Ai, gjithashtu, ofroi ekspertizën e zyrës së tij për të ndihmuar autoritetet shqiptare në hartimin e ligjit të ri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›