E Diel, 1 Nëntor 2026

BE përgatit paketën antikrizë për Ballkanin, gati dhënia e 150 milionë eurove

Komisioneri Ren pohon nismën e Komisionit Europian në takimin me kreun e RCC-së. Mbështetje financiare për të gjitha vendet që janë në rrugën e integrimit europian

Albert Gjoka

Komisioni Europian po përgatit një paketë financiare antikrizë për vendet e Ballkanit që janë në procesin e integrimit në BE. Një fakt i tillë është pohuar nga komisioneri Oli Ren në takimin që zhvilloi dy ditë më parë në Bruksel me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RÇ), Hido Bisceviç. Në njoftimin zyrtar të kësaj organizate thuhet se komisioneri për Zgjerimin ka pohuar: “Komisioni Europian është duke angazhuar 150 milionë euro në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit për të financuar një Paketë në Përgjigje të Krizës dhe masat financiare që do të ndihmojnë në lehtësimin e krizës në Europën Juglindore. Ai shtoi se do të jepet edhe një tjetër paketë financiare me vlerë 80 milionë euro për biznesin e vogël dhe të mesëm. Ndonëse qeveria shqiptare ka deklaruar prej kohësh se Shqipëria nuk është prekur nga kriza, sekretari i Përgjithshëm i Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal, ku bën pjesë edhe vendi i ynë, ka pohuar se kriza rrezikon stabilitetin e Ballkanit.
Kriza globale dhe Ballkani
Gjatë takimit të mbajtur në kuadër të konsultimeve midis Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Komisionit Europian, sekretari i Përgjithshëm Bisceviç e informoi komisionerin Ren shkurtimisht për situatën aktuale në Europën Juglindore përsa i përket krizës aktuale financiare dhe recesionit ekonomik që po kalojnë disa shtete të rajonit. “Ndikimi i krizës në Europën Juglindore mund të japë pasoja të rënda në rajonin që akoma është në tranzicion dhe që akoma nuk ka përfunduar procesi i paqes, prandaj është e nevojshme mbështetja e Komisionit Europian”, - tha Bisceviç. Ai theksoi: “Ne duhet të vendosim një bashkëpunim më aktiv me presidencën aktuale çeke dhe presidencën e ardhshme suedeze të BE-së në zhvillimin e një koncepti strategjik dhe projektet në sektorët prioritarë si energjia, infrastruktura e transporti, të cilat shërbejnë për zbutjen e ndikimeve të krizës financiare dhe lehtësojnë vazhdimin me reformat e nevojshme në Europën Juglindore”.
Paketa antikrizë për rajonin
“Komisioneri për Zgjerimin, Oli Ren, tha se Komisioni Europian dhe institucionet financiare ndërkombëtare po punojnë për të siguruar që masat që mund të ndërmerren t’u përgjigjen vështirësive të tanishme sociale dhe ekonomike në Europën Juglindore”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Organizës së Këshillit për Bashkëpunim Rajonal. Sipas tij, Ren ka pohuar: “Komisioni Europian është duke angazhuar 150 milionë euro brenda Instrumentit të Asistencës së Paraanëtarësimit (IPA) për të financuar një Paketë në Përgjigje të Krizës dhe masat financiare që do të ndihmojnë në lehtësimin e krizës në Europën Juglindore”. “Në mënyrë të veçantë, Komisioni Europian është duke përgatitur një program në kuadër të përfitimeve shumëdimensionale të IPA-së për vitin 2009 që ka të bëjë me një mbështetje prej rreth 80 milionë euro për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, eficiencën e energjisë dhe konkurrueshmërinë, si dhe për kontrollin dhe rregullimin e sektorit bankar”, – tha Ren.
Kreu i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Bisceviç, deklaroi disa ditë më parë në një intervistë për një gazetë boshnjake se Bashkimi Europian duhet të ndërhyjë për të zbutur pasojat e krizës në rajonin e Ballkanit, pasi rëndimi i gjendjes financiare mund të sjellë destabilitet në rajon.
Bashkëpunimi dhe integrimi rajonal
Në takimin e zhvilluar dy ditë më parë në Bruksel, Komisioneri Oli Ren e inkurajoi sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe organizatën e tij që të vazhdojnë të zhvillojnë ide me presidencën çeke të BE-së dhe atë që pritet të vijë, të cilat kanë të bëjnë me punën e përbashkët me vendet e Europës Juglindore për projektet e zhvillimit në një shkallë të gjerë që mund të nxisin financimin nga institucionet financiare ndërkombëtare, të shërojnë pasojat sociale që vijnë nga recesioni ekonomik dhe japin lehtësira shtesë për vazhdimin e reformave.
Sekretari i Përgjithshëm, Bisceviç, informoi komisionerin Ren për përgatitjen e Takimit Vjetor të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (SEECP) që do të mbahet me 4-5 qershor në Chisinau të Moldavisë.
Gjithashtu, sekretari i organizatës u takua edhe me Janez Potocnik, komisionieri i BE-së për Shkencën dhe Kërkimin dhe diskutoi për përgatitjen e Konferencës Ministeriale rreth Strategjisë Rajonale të Kërkimit për Ballkanin Perëndimor që do të organizohet nga KBR dhe presidenca çeke e BE-së në Sarajevë më 24 prill të këtij viti.
Në organizatën për Këshillin e Bashkëpunimin Rajonal, e cila është pasardhëse e Paktit të Stabilitetit, bën pjesë edhe Shqipëria. Ky organizëm shërben për të nxitur bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ky proces nxitet edhe nga vetë strukturat e Bashkimit Europian.

BE shtyn konferencën për pranimin e Kroacisë në BE për shkak të çështjes së kufijve

ZAGREB - Presidenca çeke e Bashkimit Europian shtyu dje një konferencë progresi me kandidaten për pranim, Kroacinë, duke u shprehur se rruga pa krye e shkaktuar nga mosmarrëveshja për kufirin e Zagrebit me Slloveninë do të kapërcehej muajin e ardhshëm. Mosmarrëveshja, që daton që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë në vitin 1991, e nxiti Slloveninë të vinte veton ndaj 11 kapitujve të bisedimeve të pranimit të Zagrebit në BE, duke i pakësuar shanset që Kroacia t'i përfundonte këto bisedime këtë vit, siç ishte planifikuar.

Komisioni Europian po përpiqet të arrijë një kompromis mes dy ish-republikave jugosllave, që do t'i mundësojë Sllovenisë të heqë veton. "Duke marrë parasysh përpjekjet e Komisionit, presidenca çeke e ka shtyrë konferencën ndërqeveritare të pranimit me Kroacinë për më 24 prill, në pritje të një rezultati pozitiv", - thuhej në një deklaratë të bërë që nga Brukseli dhe të transmetuar nga agjencia zyrtare kroate e lajmeve HINA. Konferenca pritej të zhvillohej më 27 mars.

Zëdhënësi i Ministrisë kroate të Punëve të Jashtme, Mario Dragun, tha se shtyrja ishte e pritshme, por Kroacia do të vazhdojë "të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për të qenë e gatshme të nxisë procesin sapo të hiqet vetoja". Komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn, tha se u kishte propozuar një kompromis dy vendeve dhe se ishte në pritje të përparimeve.
Ministrat e tyre të Jashtëm priten të takohen këtë javë për të punuar mbi një deklaratë të përbashkët, ku do të thuhet se asnjë dokument zyrtar i dalë pas shpërbërjes së Jugosllavisë nuk do të ishte i dëmshëm për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjes kufitare.
Sllovenia, që u pranua në BE në 2004-n, kërkon dalje të drejtpërdrejtë në ujërat ndërkombëtare të Adriatikut të veriut, çka do ta detyrojë Kroacinë të lëshojë një pjesë të tyre që i konsideron si të sajat. Katër fshatra të vogla kontestohen gjithashtu.
“Reuters”

25 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›