Anijet që transportojnë hidrokarbure, shtyhet afati i ndaljes së përpunimit
Ministria e Ekonomisë njoftoi dje se do të shtyhet edhe me 3 muaj afati i ndërprerjes së përpunimit të anijeve që transportojnë naftë dhe gaz në Portin detar të Durrësit dhe në atë të Shëngjinit. Burime zyrtare të METE-s thanë se arsyet e shtyrjes së afatit të zbatimit të vendimit që parashikonte ndërprerjen e veprimtarisë së përpunimit të naftës dhe gazit në këto porte brenda 18 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi është fakti se ende nuk ka përfunduar ndërtimi i infrastrukturës në zonat e përcaktuara nga qeveria. "Në zbatim të vizionit strategjik të qeverisë, për t’i zhvilluar aktivitetet e transportit të naftës dhe gazit në zona të ndërtuara enkas për këtë qëllim, si ajo e Porto Romanos në veri të Durrësit dhe zona e ish-Uzinës së Sodës PVC në Gjirin e Vlorës, METE ka informuar në kohë të gjitha subjektet dhe institucionet e interesuara, si dhe ka marrë vendimet përkatëse për ndërtimin e kësaj infrastrukture, e cila është në përfundim në të dyja zonat, përkatësisht nga shoqëria ‘Romano Port’ sh.a. dhe ‘La Petrolifera italo-shqiptare’ sh.a", - thanë burimet zyrtare. Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është vendosur që ky afat të shtyhet deri në 30 qershor 2009. Ky vendim është marrë duke pasur parasysh se deri në përfundimin e afatit 18-mujor për ndërprerjen e përpunimit të anijeve që transportojnë naftë, gaz dhe nënprodukte të tyre në portet e Durrësit dhe të Shëngjinit, nuk ishte bërë ende funksional Pontili i Porto Romanos.
25 Mars 2009