E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE përgatitet për daljen e Greqisë nga Euro

Bruksel- Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropaine janë duke punuar për skenarë të mundshëm reagimi në rast se Greqisë i duhet të lërë zonën Euro.

Deklarata u bë nga komisioneri për tregtinë në Bashkimin Evropian, Karel De Gucht. Siç raporton sot agjencia e lajmeve ‘Reuters’ spekulimet në lidhje me planifikime të tilla ka plot por intervista e komisionerit duket se është hera e parë që një zyrtar i BE-ës pranon ekzistencën e planëve për një Greqi jashtë monedhës së përbashkët evropiane.

‘Një vit e gjysmë më parë ndoshta ekzistonte rreziku domino. Por sot ka një Bankë Qendrore Evropiane, një Komision Evropian që po punon për skenarë emergjence nëqoftëse Greqia s’do ja dalë dot’- tha De Gucht për gazetën ‘De Standaard’. Komisioneri shtoi se një dalje e Greqisë nuk do të thotë një fund i Euros siç pretendojnë shumë skeptikë.

Një burim pranë De Gucht tha se institucionet evropiane nuk kishin qëndruar duarlidhur gjatë ketyre dy viteve  dhe se ishin përgatitur për gjithçka që mund të ndodhë. De Gucht tha për ‘De Standaard’ se mendon se Greqia do të qëndrojë brenda zonës Euro duke thënë se duhet ruajtur gjakftohtësia gjatë ketyre javëve.

Ndërkohë i pyetur më herët lidhur me fatin e Greqisë një zëdhënës i KE tha se gjithçka varet nga vete shteti grek dhe se BE duhet të respekojë procesin politik në vazhdim. Shqetësimet janë rritur lidhur me mundësitë që Greqia mund të vendosë të lërë monedhën që përdorin 17 vende të BE-së, dhe kjo mund të ndodhë nëse një qeveri kundër masave shtrënguese të vendosuara nga FMN dhe BE do të fitojë raundin e dytë të zgjedhjeve më 17 Qershor.

Sondazhet tregojnë se radikalët e majtë të Syriza do të fitojnë dhe ata janë zotuar që nuk do të zbatojnë masat ‘barbare’ të Bruskelit. Prespektiva Syriza ka bërë Euron të bëjë akrobaci në tregjet evropaine gjatë javës. Euro mori një goditje të fortë të premten duke shënuar sërish rënie, frika se Greqia mund të largohet nga Eurozona bëri që Moody’s të reduktojë performancën e 16 bankave spanjolle të enjten.

Në fillim të kësaj jave presidenti grek Karolos Papulias tha se grekët kishin tërhequr nga bankat 800 milionë euro nga pasiguria politike e thelluar.

Dorina Bilbili/IDEA/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›