E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE përkrah Topin, kritikon qeverinë

Bashkimi Evropian ka mbështetur Presidentin e Republikës, Bamir Topi, në lidhje me konfliktin për drejtësinë, duke kundërshtuar qëndrimet e qeverisë shqiptare, të shprehura nëpërmjet drafteve të Ministrisë së Drejtësisë. Kreu i misionit të ekspertëve të BE-së, që asiston drejtësinë shqiptare, pikërisht shefi i misionit EURALIUS, Roland Miklau, ka rrëzuar me argumente të qarta juridike mënyrën e hartimit të ligjeve nga qeveria, si dhe imponimin që u është bërë institucioneve të pavarura për të pranuar draftet e hartuara. Juristi i mirënjohur austriak, i cili është një nga personalitetet evropiane në fushën e drejtësisë, z.Miklau, duke folur në aktivitetin e organizuar nga "Transparency International", ka mbështetur qëndrimin e Presidentit të republikës në lidhje me reformën në drejtësi. Kreu i "EURALIUS", Roland Miklau, deklaroi se qëndrimi i kreut të shtetit shqiptar, që ligji është një proces shumëpalësh, është një koncept i drejtë. Sipas kreut të misionit të ekspertëve të BE-së për drejtësinë, "hartimi i ligjeve është një proces shumëpalësh, ku duhen dëgjuar të gjitha palët dhe grupet e interesit, edhe pse mund të kenë qëndrime të ndryshme". Sipas Miklaut, demokracia është një proces ku si bazë të saj ka diskutimin dhe synimin për të arritur një kompromis. Në fjalën e tij, shefi i ekspertëve të Bashkimit Evropian në Shqipëri ka dhënë një leksion të qartë mbi mënyrën sesi duhet hartuar një ligj dhe sesi ai duhet të bëjë rrugën normale të diskutimit. Në fakt, Bashkimi Evropian, por edhe aktorët e tjerë ndërkombëtare, më shumë se njëherë kanë kritikuar qeveritë shqiptare të të gjitha kohërave, të cilat kanë krijuar një traditë jotransparente dhe paksa arrogante të hartimit dhe miratimit të ligjeve të rëndësishme, ku në thuajse të gjitha rastet mungon dëgjimi i grupeve të interesit dhe diskutimi në publik. Kreu i EURALIUS, Roland Miklau, deklaroi dje, duke iu drejtuar padyshim qeverisë dhe në mënyrë të veçantë Ministrisë së Drejtësisë, që gjatë hartimit të ligjeve të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi, duhet profesionalizëm, transparencë, por edhe kohë. Profesionalizëm, pikërisht në njohjen e praktikave më të mira bashkëkohore, konceptet e duhura juridike, transparencë pikërisht në njohjen e publikut me të gjitha fazat e hartimit të ligjit, si dhe kohë, për diskutimin e tij me të gjitha palët e interesuara.

Në fakt, misioni i Bashkimit Evropian për Drejtësinë, për ligjin e Prokurorisë, ka dhënë disa këshilla të vlefshme, por që nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Drejtësisë. Ndërkaq edhe për ligjin e administratës gjyqësore, EURALIUS mbështeti që ajo të funksionojë ose si një strukturë e nëpunësit civil, pra punonjësit të zgjidhen me konkurs, ose të jetë nomenklaturë e gjyqësorit.

Apeli

Qeveria, pakt me opozitën

"Transparency International": Duhet konsensus

Atë që nuk e bëri qeveria apo Parlamenti, në fakt e realizoi një organizëm tjetër, i cili mblodhi gjithë grupet e interesit për të diskutuar për reformën në drejtësi. "Transparency Internacional" ndërmori një nismë për të zhvilluar një debat pikërisht për çështjet e përplasjes institucionale kohët e fundit. Në një deklaratë publike, përfaqësuesi i "Transparency International Albania", theksoi: "Roli ynë sot është të dëgjojmë dhe të përçojmë shqetësimet tuaja, duke i vendosur ato në një axhendë publike, por edhe të realizojmë një proces transparent dhe profesional lobimi me aktorë vendimmarrës dhe influencues

brenda dhe jashtë Shqipërisë. TI e konsideron si mjaft të rëndësishme dhënien e kontributit në rritjen e

besimit dhe forcimin e institucioneve të sistemit të

drejtësisë në Shqipëri, si një rrugë që çon në rritjen e integritetit, kapaciteteve profesionale dhe performacës në zbatimin e ligjit. Vetëm institucione me integritet të lartë

mund të jenë të afta për të luftuar korrupsionin". Sipas "Transparency Internacional", procesi i përmirësimit të kuadrit ligjor duhet t‘i shërbejë këtij qëllimi. TI e sheh si domosdoshmëri krijimin e një tradite legjislative të hapur dhe transparente, produkt i një konsensusi edhe më të

gjerë. Mbi të gjitha, përfshirja e grupeve të interesuara në këtë proces është një mekanizëm që do të garantonte zbatueshmërinë e tij. Reforma në drejtësi nuk duhet të kthehet në një proces thjesht dhe vetëm legjislativ. Ndryshimet ligjore janë vetëm një pjesë e nevojave që ka sistemi i drejtësisë. Është e nevojshme një strategji e orientuar nga qëllimi i përbashkët i aktorëve brenda dhe jashtë sistemit të drejtësisë për ngritjen e mekanizmave efikasë që sigurojnë zbatimin e ligjit, forcimin e

kapaciteteve njerëzore dhe financiare. Themelet e sistemit të drejtësisë përbëjnë bazën e shtetit juridik. Kuadri ligjor për institucionet e drejtësisë nuk mund të jetë një proces i

njëanshëm e ekskluziv i pushtetit ekzekutiv. Ligjvënësit shqiptarë duhet të jenë të ndërgjegjshëm dhe duhet të kenë vullnetin për të bashkëpunuar me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, noterë dhe të gjitha institucionet kushtetuese të sistemit të drejtësisë, si mënyra e vetme për të garantuar një sistem të qëndrueshëm, jetëgjatë e të suksesshëm për drejtësinë.

"Transparency International" gjykon se një proces i njëanshëm legjislativ paralajmëron një reformë të dështuar në drejtësi. Me këtë rast, "Transparency International" bën thirrje që konsensusi mes opozitës dhe qeverisë për reformën në drejtësi duhet të jetë vetëm në funksion të pavarësisë së institucioneve të së drejtës dhe jo në favor të interesave të ngushta të partive për të kontrolluar indirekt sistemin e drejtësisë.

Presidenti

Topi: Të ruajmë institucionet e pavarura

Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që u zhvillua në Peshkopi, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dalë në mbrojtje të pavarësisë së pushtetit gjyqësor. "Institucionet e kanë të domosdoshme vendosjen e ekuilibrave institucionalë, kjo jo vetëm se buron nga Kushtetuta, por është edhe një obligim i përhershëm i këtyre institucioneve, ndaj ky është edhe mesazhi im në këtë mbledhje të radhës së KLD-së. Detyra jonë e përbashkët mbetet që të kemi institucione të pavarura. Pavarësia e institucioneve është një proces që nuk bëhet në një ditë, por është një betejë e fortë demokratike, që padyshim do të na çojë në një shtet të fortë, gjë që e dëshirojmë të gjithë. Natyrisht, në këtë betejë secili duhet të ketë transparencën e tij, gjë që në radhë të parë kërkohet nga drejtësia. Duam të vendosim kolona të forta në sistemin e drejtësisë, në mënyrë të tillë që ai të vetëpastrohet nga veprimet abuzive dhe korruptive të individëve të veçantë të pushtetit gjyqësor. Që në shkurt të këtij viti, vijoi fjalën e tij Presidenti Topi, kemi nisur ndëshkimet ndaj individëve, pjesëtarë të togave të zeza, por sot këtu në Dibër do të kemi një axhendë eksplicite në këtë drejtim. Autoriteti i pushtetit gjyqësor është çështje e perceptimit të publikut. Të mos harrojmë, porositi Presidenti, se shinat në të cilat ecën politika shpeshherë ndryshojnë sipas koniunkturave të momentit, por ato nëpër të cilat ecën drejtësia nuk ndryshojnë", tha Presidenti Topi.

Beteja

Pavarësia e institucioneve është një proces që nuk bëhet në një ditë, por është një betejë e fortë demokratike, që padyshim do të na çojë në një shtet të fortë, gjë që e dëshirojmë të gjithë

Kryeministri

Berisha: Pavarësia e institucioneve, qëllimi im

Kryeministri Sali Berisha deklaroi gjatë një konference për shtyp, se pavarësia e institucioneve mbetet një qëllim dhe një parim madhor i jetës dhe veprimtarisë së tij. "Institucionet e pavarura në këtë vend lindën mbi të gjitha nga sakrificat që u bënë për të shembur perden e hekurt dhe nga të gjithë ata që shembën në Tiranë murin e Berlinit, duke i hapur rrugën pluralizmit politik", tha Kryeministri në përgjigje të interesimit të medias në konferencën e sotme për shtyp, qëllimi i së cilës ishte përshëndetja e nënshkrimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nga Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush. I pyetur lidhur me kontestimet e grupeve të interesit për disa nga projektligjet e reformës në drejtësi, Kryeministri Berisha siguroi se "ligjet e këtij vendi do të jenë të standardeve më të mira demokratike". Në këtë kuadër ai komentoi nismën ligjore për lejet e ndërtimit. "Nëse kërraba e interesit kërkon t‘i tërheqë ato, nuk do të mund t‘i tërheqë. Ata të cilët kanë vendosur sistemin e 15 përqindëshit te lejet e ndërtimit, ata dizinformojnë dhe shpallin në gazetat e tyre se Berisha po u merr kompetencat bashkive", tha Kryeministri. Por, sipas tij, të zbatosh parimin "heshtja është miratim", nuk do të thotë t‘i marrësh kompetencat bashkive, pasi "ky parim do të zbatohet edhe për Berishën, edhe për problemet e administratës".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›