E Diel, 1 Nëntor 2026

Tërmeti, pesë lëkundje në 24 orë

Lëkundje sizmike në intervale të ndryshme kohore nga e premtja pasdite dhe në mbrëmje, por edhe të shtunën paradite janë ndier në Tiranë dhe në zonën qendrore e lindore të vendit.

Aparaturat e Institutit të Gjeoshkencës në kryeqytet kanë regjistruar plot pesë lëkundje tërmeti me magnituda dhe intensitet të ndryshëm gjatë së premtes dhe së shtunës brenda një harku kohor prej 24 orësh.

Sipas përgjegjësit të departamentit të sizmologjisë, Llambro Duni, lëkundja e pestë e tërmetit është regjistruar nga kompjuterët e posaçëm në orën 11:09 të ditës së shtunë.

Ky ka qenë një tërmet prej 3.4 ballë në të njëjtin rajon sikundër ishin regjistruar edhe lëkundjet e tjera sizmike të mbrëmjes së ditës së premte.

Lëkundjet më të forta të tërmetit kanë qenë ato të regjistruara në orën 21:30 të mbrëmjes së të premtes. Ky tërmet ka pasur një fuqi prej 5.5 ballë me epiqendër në qytetin e Elbasanit, pohojnë autoritetet e Institutit të Gjeoshkencës në kryeqytet.

Specialistët e këtij institucioni sqaruan se lëkundja e parë e tokës është ndjerë rreth orës 19:00 të së premtes. Epiqendra e tërmetit me forcë rreth 4.2 ballë sipas shkallës Rihter, ka qenë në fshatin Kuturman, të Librazhdit.

Lëkundjet kanë tronditur të gjithë zonën dhe mësohet se fillimisht kanë përhapur panik edhe në qytetin e Librazhdit, ku banorët kanë dalë në rrugë nga frika. Përfaqësues të pushtetit vendor në këtë qytet konfirmuan se nuk ka të dhëna për dëme materiale. Po kështu edhe përfaqësues të zyrës së emergjencave civile në kryeqytet bën të ditur se deri tani nuk janë regjistruar dëme materiale nga lëkundjet e tërmetit.

Librazhdi njihet si zonë me aktivitet sizmik. Zona ndodhet gati 29 kilometra larg qytetit të Elbasanit, qytet ku gjithashtu janë ndjerë lëkundjet e tërmetit.

Epiqendra e lëkundjeve sizmike më të forta ka qenë sërish në Qarkun e Elbasanit, 10 kilometra në verilindje të tij. Tërmeti u ndje fort edhe në kryeqytet, por me magnitudë më të ulët, nga 3 deri në 4 ballë. Burime nga qyteti juglindor i Pogradecit thanë se rreth së njëjtës orë ishin ndjerë lëkundje të lehta tërmeti edhe në këtë qytet.

Ndërsa në kryeqytet lëkundjet e tërmetit janë ndier më së shumti në pallatet e larta, sidomos në apartamentet, sipër kateve të katërta.

Sipas specialistëve të sizmologjisë, problem shqetësues mbetet fakti se tërmetet nuk mund të parashikohen. Me pajisjet që disponohen aktualisht nga shkenca, këto lëkundje sizmike thjesht mund të regjistrohen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›