Sot, ora 60 minuta prapa
Konkretizohet ndryshimi i orës. Sot të gjithë e fillojnë aktivitetin ditor, duke pasur një orë më shumë në dispozicion. Ky tjetërsim i ritmit ditor vjen si pasojë e ndryshimit të orës, që realizohet dy herë në vit, si rrjedhojë e një marrëveshje të përbashkët, e cila daton që prej vitit 1981. Sipas llogaritjes së ndryshuar, i takon që ora 03:00 e mëngjesit të së dielës, pra më 26 tetor, me kohën e re të matjes u bë 02:00. Pra, akrepat lëvizën 60 minuta prapa. Është vetëm një ndryshim i tillë akrepash që, sipas atyre që e ideuan atë si një zgjidhje afatgjatë, duhet të kursehen plot 646 milionë kilovat energji elektrike, për një vend me 60 milionë banorë. Duke u mbështetur në numrin e popullsisë, kjo sasi kilovat/orë duhet të kursehet nga konsumatorët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Ndryshimi i orës më parë në Evropë ka qenë jo i njëtrajtshëm, por ajo filloi të përgjithësohej nga viti 1974, pas krizës së parë të naftës, kur disa vende vendosën të çojnë përpara orën në mënyrë që ta shfrytëzonin më shumë dritën e diellit dhe të konsumonin më pak energji elektrike. Si ligj evropian ndryshimi i orës në Evropë u vendos në vitin 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane vendosi në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës së verës (kur ora shkon një orë përpara) dhe përfundimin e saj (kur ora shkon një orë pas); që tani respektivisht janë e diela e fundit e marsit dhe e diela e fundit e tetorit. Në vende të ndryshme, ky ndërrim bëhet sipas orëve përkatëse lokale. Për 26 nga vendet e Bashkimit Evropian, përveç Greqisë, ora e gjithë zonës do të ndryshojë në të njëjtin çast. Stina e vjeshtës ka hyrë në hemisferën tonë ekzaktësisht në orën 08:44 të mëngjesit të 22 shtatorit, ndërkohë që nata dhe dita kanë qenë të barabarta në të gjithë planetin. Vjeshta në hemisferën e veriut dhe stina e pranverës në jug, do të zgjasin përkatësisht deri në 21 dhjetor, kur në hemisferën tonë do të hyjë stina e dimrit, ndërsa në jug stina e verës.