E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishulli i majdanozit dhe wonderbra kinez

1.

Liu, paradite kamerier në restorantin kinez në qendër të Prishtinës dhe ushtrues masazhi tradicional këmbësh pasdite në bodrumin nën restorant, ditën kur mori letërnjoftimin e UNMIK-ut, si qytetar i Kosovës, u shndërrua në njërin prej simboleve të rrëfimit të botës së shekullit XXI.

Simboli i dytë është majdanozi. Gjegjësisht, Majdanozi, siç e quajnë spanjollët një ishull të tyre të braktisur, në të cilin, pos majdanozit të egër, jetojnë edhe ca dhi që ushqehen me të.

Liu erdhi së bashku me ushtritë e Perëndimit, policët e UNMIK-ut nga Pakistani dhe Gana, çunat e posadiplomuar perëndimorë që e filluan vendin e parë të punës (sikundër moshatarët e tyre të UÇK-së) në poste kuaziministrore dhe çdo model të mundur të kopjuar të sytjenave wonderbra, atleteve e madje edhe kostumeve fals "Armani", të prodhuar në Kinë, të lirë dhe që blihen nga popullata e varfër kosovare.

Ishulli i Majdanozit, ndërkaq, u bë objekt interesimi kur në korrik të vitit 2002, dymbëdhjetë ushtarë të Marokos u nisën për në ishull, që ata e quajnë Leila dhe e ngritën flamurin e tyre. Brenda dy javësh Spanja, që e konsideron të vetin ishullin Perejil (Majdanoz), zbarkoi 75 ushtarë, ata vendosën dy flamuj spanjollë dhe i shporrën nga aty ushtarët marokenë së bashku me flamurin e tyre. Qeveria marokene e dënoi këtë "akt lufte" dhe organizoi demonstrata, ku rinia briste "Gjaku dhe shpirti ynë është sakrificë për ty, Leila!" Spanja, ndërkaq, dërgoi luftanije dhe helikopterë ushtarakë afër bregut të Marokos.

2.

Liu, treqind dyqanet e regjistruara kineze në Prishtinë, dhe tërë malli që mbërrin nga Kina janë vetëm ilustrim i transformimit më të madh që njeh njerëzimi. Në tridhjetë vitet e fundit, shkruan Fareed Zakaria në "Botën pasamerikane" (Norton, New York, 2008), Kina ka dalë në shesh si ekonomia e dytë në botë, fill pas asaj amerikane, me një rritje mesatare të paprecedentë prej 9 për qind në vit, duke nxjerrë nga varfëria mbi 400 milionë njerëz. Kina sot, shkruan autori, eksporton brenda një dite sasinë e mallit që kishte eksportuar brenda një viti, më 1978-ën, kur kishin filluar reformat me fjalimin e Den Hsiaopinit në Plenumin e Tretë të Komitetit Qendror të 11 të Partisë Komuniste të Kinës (dhe vetë titulli i ngjarjes politike tregon ndërlikueshmërinë) ku kishte deklaruar se "nuk është me rëndësi në është macja e zezë a e bardhë. Përderisa zë minj, është mace e mirë". Kur erdhi Liu në Prishtinë, ishte falë maces së Denit.

Majdanozi, ndërkaq, apo ishulli me këtë emër, u shndërrua për një moment në një fill konflikti. Palët në konflikt nuk iu adresuan Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian, apo ndonjë shteti mik evropian, si Franca. Thirrën sekretarin e Shtetit amerikan, Colin Powell, i cili mendoi me vete "çka kam të bëj unë me këtë punë, pse jemi ne - SHBA-ja, të përfshira në këtë?" - por kur u pa se asnjë iniciativë tjetër nuk mund të kishte sukses, Powell filloi ndërmjetësimin telefonik, me mbretin e Marokut dhe shefin e diplomacisë spanjolle. Gjatë të premtes mbrëma dhe të shtunës paradite, "vendosa që duhet të gjeja një kompromis shpejt, sepse ndryshe mbisundon krenaria, forcohen pozicionet dhe palët bëhen kokëfortë". Në Mesdhe afrohej mbrëmja dhe "nipërit e mi do të vinin së shpejti për të bërë not", kështu që Powell u ul në kompjuterin e shtëpisë, hartoi një tekst kompromisi për të dyja palët, ua dërgoi me faks kryeqyteteve në konflikt, mori pëlqimin e tyre, e nënshkroi marrëveshjen në emër të të dyja palëve dhe arriti të bëjë not me nipërit. Spanja e Maroku u pajtuan t‘i fillojnë bisedimet rreth statusit të ishullit të Majdanozit në Rabat.

Të tria palët dëshmuan atë që ishte mësuar në shekullin e kaluar, se SHBA-ja është, siç deklaroi pararendësja e Powellit, Madeleine Albright, "fuqi e domosdoshme", fuqi pa të cilën nuk bën.

3.

Bota e shekullit XXI, argumenton Zakaria, duke e vënë edhe në titull, është botë pasamerikane. Sipas tij, transformimet më të mëdha shoqërore kanë ndodhur me ngritjen e Perëndimit, në shekujt XV-XVIII, ku Rilindja urbanizon dhe zhvillon ekonomitë e këtyre shoqërive, duke sjellë edhe industrializimin dhe pastaj me ngritjen e SHBA-së në fund të shekullit XIX, si superfuqi ekonomike, e cila në shekullin XX shndërrohet edhe në superfuqi ushtarake, që në kulmin e saj, pas Luftës së Dytë Botërore kishte jo vetëm fuqinë bërthamore, por edhe përfaqësonte gjysmën e ekonomisë botërore, me pesë për qind të popullatës së saj.

Tashmë ka ardhur radha e ngritjes "së të tjerëve", apo botës pasamerikane, thotë autori. Është një botë ku tashmë Kina është ekonomia e dytë botërore, e India do të jetë e treta më 2040-ën - që me një popullatë të sotme të kombinuar prej 2.5 miliardë banorësh përfaqëson një ndryshim tektonik. (Këto vende, prej vitit 1350-1950, pra plotë gjashtëqind vjet, kishin mbetur në GDP të njëjtë, Kina në 660, India në 550 dollarë). Është një botë ku qendrat tradicionale të kapitalit si "Wall Street" dhe Bursa e Londrës kanë konkurrencë: nga vendet e Gjirit në pesë vitet e fundit janë bërë 1 trilion dollarë investime në ekonominë botërore, e brenda dhjetë viteve të ardhshme edhe 2 trilionë të tjerë janë në dispozicion. Është një botë ku vendet BRIC (siç quhen Brazili, Rusia, India dhe Kina) së bashku me Meksikën në vitin 2040 pritet të kenë prodhimtari më të lartë ekonomike se sa vendet e tanishme të G-7, të shtatë vendeve të industrializuara të botës.

Dhe, është një botë, ku këndvështrimi medial më nuk është i prodhuar vetëm në Perëndim, CNN apo BBC. Me daljen e kanaleve të forta informative si "Al Jazzeera", kanale të Indisë apo Kinës, mënyra se si shihet kriza në Lindje të Mesme, ardhmëria e Tajvanit apo diktatura në Majanmar (ish-Birmani) po ndryshon.

Forcat kyçe të shekullit XXI, thotë autori, janë globalizimi (i shtyrë pas rënies së Murit të Berlinit, ku tregu doli si e vetmja alternativë zhvillimore) dhe nacionalizmi, gjegjësisht shtytjet e brendshme për të përfituar nga ndryshimet e mëdha ekonomike.

Dhe, brenda këtij shekulli të filluar, argumenton autori në libër, do gjendur një baraspeshë mes "të tjerëve" dhe Amerikës, si fuqi pa të cilën nuk bën.

4.

Nëse do të lexohej si një analizë për Presidentin e ardhshëm amerikan, porositë bazike do të ishin se fuqia amerikane, ashtu si pas Luftës së Dytë Botërore, gjendet në rolin e "ndërmjetësit të ndershëm", pra të një superfuqie botërore që ka ndikim pozitiv te të gjitha fuqitë e tjera. Amerika,e cila e vetme mund të kombinojë rolin e superfuqisë ekonomike me atë ushtarake -politike, sipas tij, duhet të jetë ajo që ndërtoi Kombet e Bashkuara dhe tërë sistemin financiar global "Breton Woods" (Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar) e jo kjo që është tani, e izoluar nga përkrahja botërore dhe e angazhuar në dy luftëra, në njërën prej së cilës, atë të Irakut, kishte hyrë pothuajse vetëm. Natyrisht, porosia është se nevojitet një baraspeshë e re, në kushte po aq të reja.

Kina, bashkëjeton me ekonomi të hapur, por jo edhe me sistem demokratik. Besimi bazik se hapja e tregjeve ndikon edhe në hapjen politike mund të testohet, jep një shënim autori, vetëm kur GDP-ja për kokë banori të kalojë pesë mijë dollarë. Megjithatë, fakti se Kina nuk është demokraci nuk do të thotë se ajo do ta eksportojë modelin e vet politik, thotë, autori. Njëra prej arsyeve pse nuk e bën këtë është vendimi eksplicit i udhëheqjes që të ketë një "ngritje paqësore" të Kinës. Por, ekziston edhe arsyeja kulturore-religjioze. Për dallim prej sistemeve religjioze Abrahamike (Krishterimi, Islami, Judaizmi) ku ekziston një Zot që vendos një kod abstrakt vlerash morale, kultura dominante religjioze në Kinë është konfucianizmi - e konfucianizmi nuk është religjion, nuk ka kurrfarë kodi të ngjashëm me religjionet abrahamike. Konfucianizmi është më shumë një filozofi, apo shtytje për filozofi në kuptimin burimor të fjalës. Mbështetur në këtë traditë, shoqëria kineze nuk e sheh veten si eksportuese të besimit të vet, apo kodit të vet të vlerave, e kjo në politikë të jashtme reflektohet në një pozicion që e forcon sovranitetin e shteteve, dhe me të drejtën që çdokush mund të bëjë në të çka të dojë. (Pozicioni i rezervuar i Kinës ndaj Kosovës lidhet me qëndrimin e këtillë në parim, e jo me anim ndaj njërës, apo palës tjetër).

Dhe, Presidenti amerikan, i cili përfaqëson kombin e parë të suksesshëm multiracial, multikonfesional, multietnik (e madje si simbol, mund të jetë dhe një zezak) do të duhet të akomodohet me një realitet të ri, i cili i përngjet, nga aspekti kulturor, më së shumti filmave të Bollywood-it. Në to, teknika filmike e Hollywood-it takohet me nevojat bazike kulturore të shtresës së ulët tashmë jo vetëm të Indisë, por një shumice të Botës së Tretë.

5.

Gjatë javës, një koleg dhe mik i imi shkroi se si, në të ardhur në Prishtinë prej Brukselit, ndihej si në një oazë. Atje kishte lënë lajme të njëpasnjëshme të këtij apo atij efekti të krizës globale financiare, ndërsa vinte në Kosovë, ku preokupimi kyç ishte kjo apo ajo deklaratë e dikujt rreth vendosjes së EULEX-it në tërë territorin e vendit.

Në fakt, njëra prej brengave më të mëdha që i solli kriza financiare vendit të mikut tim ishte shkrirja e fondeve pensionale, e kjo në Evropë ka edhe më shumë domethënie. Më 2030-ën, fuqia e tanishme ekonomike, Bashkimi Evropian do të ketë dyfish më shumë popullatë mbi moshën 65-vjeçare se sa fëmijë në moshën 15-vjeçare. Kontinenti i vjetër do të vjetrohet edhe më nëse nuk pranon imigrantë, e kurba e plakjes mbërriti zeron vitin e kaluar, tashmë çdo vit që kalon do të shënojë më pak "evropian autoktonë" në numra absolut, thotë Zakaria.

Ndjenja e oazës së mikut për mua ishte ndjenjë e jetës në ishull, ndërsa lexoja gjatë javës këtë libër. Pas rënies së Murit të Berlinit, të rrethuar me detin e globalizimit, ne shqiptarëve na duket se kemi mbërritur balancën më të mirë në shekullin XXI. Marrim sigurinë dhe mbështetjen politike nga Amerika (çlirimi dhe pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO), marrim paratë dhe shpresat nga Bashkimi Evropian (remitencat e emigrantëve shqiptarë, ndihmat, paratë eventuale për anëtarësim në BE), marrim brekët me çmim të lirë nga Kina.

Dhe japim njerëz, lidhja jonë me globalizimin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›