Rama: Arsimi, në përputhje me tregun e punës
Politikat e gabuara qeverisëse dhe alternativat socialiste për arsimin u diskutuan dje gjerësisht në konferencën kombëtare të Durrësit. Lideri i PS-së, Edi Rama, deklaroi se gjendja e arsimit duhet të ndryshojë, pavarësisht kostove politike që mund të ketë investimi për një sistem edukimi në përputhje me tregun e punës. Në këtë mënyrë, dialogu me Shqipërinë për arsimin është mbyllur me një takim të gjerë, që ka përfshirë në diskutime përfaqësues të 12 qarqeve të vendit, nga Veriu në Jug. Problematika aktuale me të cilën ndeshet edukimi i brezit të ri, arsimtarët dhe vetë institucionet arsimore në vend janë trajtuar gjerësisht përgjatë dy sesioneve të konferencës, e cila është çelur me fjalën e kryebashkiakut socialist të Durrësit, Vangjush Dako. I njohur për një marrëdhënie të mirë të tij në drejtimin e bashkisë së qytetit-port me pushtetarët qendrorë, fjala e Dakos tingëlloi e ashpër, ndërsa jehoi në sallë premtimi se një qeverisje socialiste do të ndryshonte realitetin e hidhur në të cilin ndodhet arsimi sot. Shkolla dhe përballja e saj me sfidat e mijëvjeçarit të ri ka ardhur në këndvështrimin e socialistëve në të gjithë gamën e saj, duke i bërë një skaner të hollësishëm situatës së vlerësuar si produkt i politikave të vjetra e të gabuara që janë ndjekur gjatë 17 viteve të fundit. "Autoriteti i shkollës ka rënë përtokë. Miti i mësuesit është shkatërruar plotësisht. Dikur një luks, tashmë arsimi është bërë një çështje ekzistenciale", tha Vangjush Dako, ndërsa renditi problemet e arsimit sot në vend dhe në Durrës. Rama mori fjalën në pjesën e dytë të konferencës, duke u ndalur në problemet kryesore me të cilat përballet arsimi dhe vlerën që ka pasur dialogu me Shqipërinë në drejtim të dhënies së ideve dhe vlerësimit të situatës e ngritjes së alternativave konkrete. Analfabetizmi ishte një prej çështjeve ku u ndal më gjatë kreu i opozitës, Rama. Sipas tij, fenomeni është tepër shqetësues dhe me një shtrirje të gjerë, përtej shifrave zyrtare të dhëna nga Ministria e Arsimit. Niveli i ulët i mësimdhënies në shkollat profesionale, farsa me reformimin e deklaruar për sa u përket teksteve shkollore, shtimi pa kriter i institucioneve universitare dhe prodhimi me bollëk i një gjenerate të re të diplomuarish të papunë, u konsideruan si pikat më shqetësuese në të cilat duhet investuar për t‘i rikthyer shkollës vlerën e humbur nëpërmjet reformave efektive, pavarësisht kostove politike. Zgjidhja e situatës shihet në një sistem arsimor që të përshtatet me tregun e punës dhe të mos jetë i kopjuar, duke rënduar mbi nxënësit e studentët. Ndërkaq, anëtarja e Kryesisë së PS-së, Ledi Shamku, u ndal në përmbajtjen e shkollës nga pikëpamja ideologjike që e ka përshkuar fort arsimin gjatë këtij tranzicioni të gjatë. Të gjitha shigjetat kritike u drejtuan mbi qeverinë "Berisha" dhe reformat e ndërmarra prej saj që kanë sjellë një kaos dhe rënie të besueshmërisë së nivelit të edukimit në Shqipëri, në dëm të të gjithë atyre që frekuentojnë sistemin aktual.