E Shtunë, 31 Tetor 2026

Emigrantët në Itali: Paguhemi keq dhe jemi të pasigurt

Emigrantët që jetojnë dhe punojnë në vendin fqinj Itali e konsiderojnë veten si të keqpaguar, por edhe të pasigurt në raport me vendasit. Një rezultat i tillë bëhet publik nga një studim i ndërmarrë nga Eures, sipas të cilit arrihet edhe në një tjetër konkluzion: "Nëse punëtorët emigrantë që ndodhen në Itali do të vendosnin të hidheshin në grevë, kjo do të pasohej nga një ‘paralizë‘ e mirëfilltë në disa sektorë".

Studimi që përfshiu 1105 të huaj të rritur në të gjithë territorin kombëtar italian analizoi përvojën, kushtet e punës, kërkesën për mbrojtje dhe të drejtën e shtetësisë mes punëtorëve të huaj në Itali. Në këtë vend zyrtarisht jetojnë e punojnë mbi 400 mijë shqiptarë. Ndërkohë që të dhënat për shqiptarët që ende janë në gjendje klandestiniteti në Itali mendohet të jenë shumë më të larta. Në raportin e Eures vlerësohet fakti se qëndrimi kritik më i madh përvijohet mbi shpërblimet ose pagesat. Ai është krejtësisht i pakënaqshëm për më shumë se gjysmën e punëtorëve emigrantë, 50.8%, por edhe lidhur me stabilitetin e punësimit. Për sa i takon formimit profesional dhe punës së kryer nga të intervistuarit, numërohen rreth 46% e tyre si të pakënaqur. Por po kështu rezulton edhe vlerësimi mbi sigurinë në vendin e punës. Plot 35.2% e tyre janë shprehur të pakënaqur për nivelin e sigurisë. Të dhëna të tilla që i referohen strumit të Eures bëhen publike nga Drejtoria e Emigracionit në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Raporti spikat një rritje të vetëdijes mes punëtorëve të huaj, të pranishëm në Itali, lidhur me rolin e tyre dhe kontributin e dhënë për rritjen e pasurisë së këtij vendi. Emigrantët përfaqësojnë 13% të nivelit të punësimit, në 85% të rasteve, në terren, që po braktisen nga italianët. Nëse të gjithë punëtorët e huaj, "do të kryqëzonin krahët" përtej efekteve shumë negative ndaj GDP-së kombëtare (ato prodhojnë thuajse 10% të tij), do të kishte një paralizë në disa sektorë, më së pari në shërbimet për familjet (ku komponenti i huaj arrin në 67%), por edhe në bujqësi (20.9% të të punësuarve janë të huaj), në shërbimet (19.7%) dhe në sektorin turistik-pritës (20.9%); shumë të dobësuar do të ishin sektori i tekstileve (14.8% të të punësuarve janë të huaj), industria e përpunimit të lëkurave (15.7%), ajo e metaleve (14%) dhe, në përgjithësi industria në tërësinë e saj (12.9%). Vetëdija e bashkësisë së punëtorëve të huaj për të qenë një subjekt social, bartës interesash dhe të drejtash specifike, siç del në faqet e studimit, përbën një sinjal të pakthyeshëm ndryshimi, që sistemi politik italian nuk duhet dhe nuk mund ta injorojë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›