E Shtunë, 31 Tetor 2026

BE pranon kërkesën për anëtarësimin e Shqipërisë

BRUKSEL- Bashkimi Europian pranon kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në bllokun europian me 27 anëtarë.
Kjo do të thotë se Bashkimi Europian nis shqyrtimin e kërkesës për t’i dhënë Shqipërisë statusin e kandidatit, një hap i madh përpara për ambiciet e vendit tonë.
Ministrat që u takuan në Bruksel miratuan vendimin në fjalë pa e diskutuar më tej.
Lajmi u njoftua nga presidenca suedeze e BE-së. Ministrat vetëm firmosën një marrëveshje të rënë dakord javën e shkuar nga Ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE.
Tashme vendimi i kalon Komisionit Europian, krahut ekzekutiv të BE, që do të marrë në konsideratë kërkesën shqiptare dhe do të vlerësoje hapat e Shqipërisë.
Një pyetësor do i dërgohet Shqipërisë me rreth 9000 pyetje në lidhje me ecurinë në reforma. Por kërkesa e Shqipërisë është shqyrtuar shumë vonë nga BE.

Vendi ynë dorëzoi kërkesën për anëtarësim në BE në muajin prill, pak pas anëtarësimit në NATO dhe para zgjedhjeve të 28 qershorit.
Fillimisht BE tha se do të pritej rezultati i zgjedhjeve, para se të merrej në shqyrtim kërkesa. Më pas u tha se kërkesa do të shqyrtohej brenda vjeshtës, dhe ashtu sic u premtua vendimi u mor në mes të nëntorit.

Nëse Shqipëria merr statusin zyrtar të kandidatit do i bashkohet Kroacisë, Turqisë dhe Maqedonisë por do të përballet me një sërë testesh dhe sfidash gjatë këtyre viteve. Kroacia dhe Turqia e kanë nisur këtë proces në 2005 dhe ende nuk janë anëtarësuar.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›