Kombëtarja Shpresa kërkon hakmarrjen me Bjellorusinë
TIRANE- Kombëtarja Shpresa do të luajë ditën e martë ndeshjen e shtatë në eleminatoret e Europianit 2011, e vlefshme për grupin 10. Në “Niko Dovana” të Durrësit kuqezinjtë 21 vjeçarë do të presin Bjellorusinë, një nga skuadrat favorite të grupit. Barazimi 2-2 me Austrinë ditën e premte ka rikthyer entuziazmin në radhët e përfaqësueses Shpresa, që ka grumbulluar vetëm 4 pikë pas 6 ndeshjeve të para. Për sfidën e së martës, trajneri Artan Bushati ka marrë në skuadrën e parë edhe 4 futbollistë të kombëtares së madhe, portierin Samir Ujkani, mbrojtësin Franc Veliu, mesfushorin Emiljano Vila dhe fantazistin Jahmir Hyka. Në këtë mënyrë, përballë bjellorusëve do të jetë pak a shumë një kombëtare A. Skuadra Shpresa ka edhe 2 ndeshje deri në fund të eleminatoreve të Europianit 2011, ku rezultatet kanë qenë vërtetë të dobta. Grupi 10 kryesohet nga Skocia me 12 pikë, Austria me 10 dhe Bjellorusia me 9, por me një ndeshje më pak. Në ndeshjen e parë të zhvilluar në Minsk një muaj më parë, Shpresa kuqezi u mund 4-2 dhe të martën do të kërkojë hakmarrjen.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)