Marrëveshja historike, Mercedes blen Braun GP
GJERMANI- Kompania gjermane e prodhimit të makinave, Mercedes do të jetë aksionerja kryesore e skuderisë Braun GP, që këtë sezon fitoi titullin kampion në Formula 1. Lajmi u bë i ditur nga vetë Diter Zetshe, numri 1 i kompanisë Mercedes, sipas të cilit Ros Braun do të mbetet në drejtimin e skuderisë, e cila tani e tutje do të marrë emrim Mercedes Grand Pri. Fabrika e tij me qendër në Shtutgart do të jetë furnizuesja me motorrë deri në vitin 2015 për kampionët e botës në fuqi dhe do të ketë 45.1 % të aksioneve. Zëvendës presidenti i Mercedes Motorsport, Norbert Haug, e quajti historike marrëveshjen me Braun GP. “Së pari dua të them se kjo është një ditë e madhe për ne, pasi do ta nisim sezonin e ri të Formula 1 me një skuderi tonën”, deklaroi Haug. Mercedesi gjithsesi do të vazhdojë të mbështesë skuderinë MekLaren, duke e furnizuar me motorrë dhe duke patur disa kontrata të tjerë bashkëpunimi. Kompania gjermane kishte 40 % të aksioneve të MekLaren, një prej skuderive më të famshme të Formula 1. Gara e fundit për Mercedesin me një makinë në pronësi të vetën ishte në vitin 1955, me pilot argjentinasin Huan Manuel Fanxho, duke fituar edhe titullin kampion. Ajo u largua nga Formula 1 në atë vit, pasi një nga makinat u përplas në pistën e La Manshit, duke vrarë 82 persona, në atë që konsiderohet si tragjedia më e madhe në sportin e automobilizmit. Pas përfundimit të aktit të blerjes, pronari i Mercedesit Zetshe ka premtuar ndryshime të mëdha në makinën Braun, duke nisur që nga ngjyra që do të jetë e argjendtë e deri te fuqia e saj. Sa u përket pilotëve të rinj, çdo gjë mbetet mister, por duket se te Mercedesi e pëlqejnë shumë Niko Rosberg. Ndërsa kampioni i botës në fuqi Xhenson Baton është pa kontratë, por ai ka hyrë në bisedime si me Braun GP ashtu edhe me MekLaren.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)