E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hapja e kutive, nis protesta e opozitës në Fier

FIER- Pas protestave në qarqe të ndryshme të vendit, ku më e fundit ishte ajo e qytetit të Vlorës ka nisur protesta e radhës e Partisë Socialiste në qytetin e Ferit për të kërkuar sërish hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.
PS e mbështetur edhe nga aleatët e saj dhe avokat Ngjela janë ndalur në stacionin e fundit përpara protestës së madhe që pritet të organizohet në kryeqytet të premten e ardhshme.

Burimet nga PS-ja bëjnë të ditur se oratorët edhe në këtë protestë do të shpalosin të njëjtat kërkesa drejtuar qeverisë së kryesuar nga Sali Berisha, por nuk do të mungojë edhe kërkesa për largimin e tij.
Në 20 nëntor socialistët mendojnë të protestojnë non-stop në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, por edhe para Kryeministrisë dhe rreth saj. Burimet pranë kësaj partie bëjnë të ditur se po merren masa për blerjen e çadrave, të cilat do të ngrihen ose në sheshin para Piramidës, pranë Kryeministrisë, ose në qendër të sheshit “Skënderbej”, për t’u dhënë mundësinë protestuesve që të qëndrojnë me orë të zgjatura në protestë. Organizatorët e protestës së 20 nëntorit parashikojnë që ky të jetë një reagim qytetar i përmasave të mëdha dhe që mund të zgjasë edhe me ditë të tëra.
(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›