E Diel, 1 Nëntor 2026

BE, projekt për përmirësimin e sistemit doganor shqiptar

TIRANE- Gjatë dy viteve të ardhshme, një projekt prej 2 milion euro, i financuar nga BE-ja do të mundësojë përmirësimin e sistemit doganor shqiptar. Projekti do të sjellë ekspertizën dhe njohuri nga vendet anëtare për të ndihmuar Shqipërinë të plotësojë legjislacionin dhe të përmirësojë praktikat doganore duke ndjekur ato që zbatohen nga vendet anëtare të BE-së.

Projekti çon përpara procesin e integrimit të Shqipërisë duke e sjellë vendin në të njëjtin rreth procedurash doganore që kanë lehtësuar tregtinë në Bashkimin Europian .
Gjatë ceremonisë së nisjes së projektit, shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori, Helmuth Lohan theksoi se “BE po investon kaq shumë burime për t’i harmonizuar doganat me ato të vendeve anëtare të BE-së pikërisht prej perspektivës evropiane të Shqipërisë. Që Shqipëria të harmonizojë procedurat doganore me ato të vendeve të BE-së do të thotë të provosh integrimin evropian në një formë konkrete, të prekshme. Do të thotë të bëhesh pjesë e një tregu të gjerë ku rregullat e lojës njihen, respektohen dhe janë nxitëse për biznesin”.

Projekti prej 2 milion euro do të vazhdojë deri në vitin 2012 dhe do të zbatohet nga Administrata Doganore Austriake me mbështetjen e Shërbimit Doganor Polak.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›