E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokio, gratë beqare në shkollë përgatitore për martesën

TOKIO- Në një kohë kur një numër gjithnjë e më i madh qytetarësh japonezë po hasin probleme përsa i përket gjetjes së partnerit të duhur me të cilin të kalojnë jetën, disa gra të pamartuara e të palidhura me askënd po i përsosin aftësitë e tyre të gjetjes së bashkëshortëve në një shkollë të re përgatitore për martesën e cila është hapur së fundmi në Tokio. Shkolla Infini ofron mundësinë e ndjekjes së kurseve në nivele të ndryshme për ato që duan të martohen e janë në kërkim të bashkëshortit ideal. Shkolla iu mëson si të flasin, të ecin madje edhe si të përulen me hijeshi në mënyrë që t’iu hyjnë në zemër jo vetëm bashkëshortëve të ardhshëm por edhe atyre që mund të jenë vjehrri dhe vjehrra e tyre e ardhshme, të cilët shpeshherë janë pengesa kryesore për martesën. "S’ma kishte marrë kurrë mendja që nëna e të dashurit tim mund të luante një rol kaq të madh në këtë rast. Isha përqëndruar tek marrëdhënia me të dashurin tim pa u menduar kurrë seriozisht për mënyrën si t’i lija përshtypje të mirë vjehrrës sime të ardhshme" tha 29 vjeçarja Kozue Sugauara, e cila u regjistrua në këtë shkollë pas dështimit të planeve për martesë.
Meqenëse gratë luajnë rol të në ekonominë e vendit dhe ndryshimin e qëndrimit të shoqërisë ndaj martesës një numër gjithnjë e më i madh vajzash në të 20-at apo 30-at janë beqare në krahasim me më parë. Statistikat e qeverisë tregojnë se rreth dy të tretat e grave nën 34 vjeç janë të pamartuara, pavarësisht numrit të madh të agjensive që ofrojnë shërbime në këtë drejtim. "Më parë njerëzit martoheshin më lehtësisht pasi edhe vetë shoqëria i nxiste në këtë drejtim. Ndërsa sot ata vendosin me vështirësi pasi kanë më shumë mundësi zgjedhjeje" tha Etsuko Satake, drejtori i shkollës përgatitore për martesë Infini4.
Kjo shkollë e hapur vetëm një muaj më parë ka tashmë rreth 30 studentë. Në të pranohen edhe studentë meshkuj të cilët ndjekin mësimet në klasa të veçanta. Instruktorët japin mësime në lidhje me mënyrën e veshjes, qëndrimit ulur, kryqëzimit të këmbëve apo edhe daljes nga makina.

Mosha mesatare e studentëve është 30 vjeç. Shkolla kërkon një tarifë vjetore prej 2,200 dollarë për studentët që ndjekin rregullisht mësimet në të. Janë të shumtë studentët si 32 vjeçarja Mei Oda që e quajnë mëse të drejtë një tarifë të tillë, në këmbim të udhëzimeve që përftojnë. "Unë kërkoj një burrë me të ardhura të mira vjetore, që të mos më kërkojë të jetojmë me prindërit e tij e që të kujdeset siç duhet për mua" tha ajo.

Një orë mësimi mbi mënyrën e servirjes së ushqimit dhe rregullimit të tryezës u ndoq nga studentë meshkuj e femra duke qenë njëkohësisht një takim i simuluar. Gjatë simulimit një studente i fliste një instruktori që hiqej si i dashuri i saj ndërkohë që drejtuesit e shkollës i jepnin pikë sipas sjelljes, shprehjes e bisedës. "Mora 75 pikë nga 100 të mundshme. Më thanë se isha mirë por duhej t’i kisha shmangur pauzat herë pas here" tha studentja 24 vjeçare Yumeko Takeuchi.
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›